Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjeneral-lejtnant Bashkim Jashari, ka vizituar trupat kosovare që po marrin pjesë në trajnimin për gatishmëri dhe dislokim në Joint Readiness Training Center (JRTC), në Luiziana të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan Katror.info.
Vizita u zhvillua në kuadër të Ditës së Vizitorëve të Shquar (DV Day), ku gjeneral Jashari pati rastin të takohet me pjesëtarët e FSK-së të angazhuar në këtë qendër elitare, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit afatgjatë me Gardën Kombëtare të Iowas dhe avancimin e partneritetit me ushtrinë amerikane.
“Ky partneritet është ndërtuar për më shumë se një dekadë dhe ka kulmuar me përgatitjet për bashkë zbarkim në Lindjen e Mesme. Kemi arritur të krijojmë një forcë profesionale, të ndërveprueshme dhe të gatshme për të kontribuar në misione ndërkombëtare,” deklaroi Jashari.
Ai gjithashtu falënderoi autoritetet e JRTC-së dhe gjithë personelin që ka kontribuar në realizimin e këtij trajnimi, ndërsa shprehu mirënjohje për pjesëtarët e FSK-së për disiplinën, përkushtimin dhe përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në një ambient operacional shumëkombësh.
Kjo shënon herën e parë që FSK-ja merr pjesë në një trajnim të këtij niveli, duke dëshmuar rritjen profesionale dhe angazhimin e saj për të qenë pjesë aktive e misioneve të sigurisë dhe paqes në skenën ndërkombëtare./Katror.info.