Edhe nëse nuk e keni planifikuar ta vizitoni posaçërisht Times Square-in, gjasat janë që do të përfundoni aty kjo zonë plot drita dhe gjallëri është jo vetëm vendi ku kryqëzohen Broadway, Bulevardi i Shtatë dhe Rruga 42, por edhe një nga nyjet më të rëndësishme kulturore të New York-ut, shkruan The Knincker Boker, përcjell Katror.info.
I njohur gjerësisht si “Udhëkryqi i Botës”, ky vend është epiqendra e jetës teatrale dhe artistike në qytet. Këtu gjeni produksione të mëdha të Broadway-t, ndërtesa ikonike dhe atraksione që e bëjnë Times Square-in një nga vendet më të vizituara në botë.
Por ky destinacion nuk është vetëm për drita neon dhe turma njerëzish, megjithëse të dyja janë pjesë e përditshmërisë. Edhe ata që jetojnë në New York mund të zbulojnë diçka të re sa herë kalojnë këtej.
Më poshtë ju sjellim 8 fakte interesante për Times Square-in, që ndoshta nuk i keni dëgjuar më parë:
1. Nuk është quajtur gjithmonë Times Square
Emrin “Times Square” e mori në vitin 1904, kur gazeta The New York Times vendosi zyret e saj në ndërtesën që sot njihet si One Times Square. Po atë vit, kryetari i bashkisë e riemëroi ish-Longacre Square me emrin e gazetës. Ironikisht, gazeta u zhvendos brenda më pak se një dekade, por emri i ri qëndroi.
2.Ceremonia e ndërrimit të motmoteve në Times Square përfshin uljen e topit që prej më shumë se një shekulli
Sipas të dhënave historike, qytetarët e Nju Jorkut kanë filluar të festojnë Vitin e Ri në Times Square që nga viti kur gazeta The New York Times vendosi selinë e saj në këtë zonë. Ulja e topit, një traditë që tashmë është simbol i festimeve – u zhvillua për herë të parë në vitin 1907. Atëherë, një glob prej druri dhe hekuri, i pajisur me 100 llamba ndriçuese, u ul nga maja e një shtylle flamuri.
Sot, topi i famshëm i Times Square peshon afërsisht gjashtë tonë dhe ndriçohet nga 32,256 llamba LED, duke e bërë atë një spektakël të vërtetë teknologjik dhe kulturor.
3. Dikur kishte një hyrje direkte nga metroja në Hotelin Knickerbocker
Në të kaluarën, Hoteli Knickerbocker kishte një shkallë që lidhte katin përdhes me restorantet dhe baret e tij, drejt e me stacionin e metrosë në rrugën 42. Edhe pse tani është e mbyllur, gjurmët e kësaj hyrjeje ekzistojnë ende pranë Platformës 1, afër shërbimit të metrosë që lidh Times Square me Grand Central Station. Një pllakë mbi një derë të bardhë të vulosur është dëshmi e asaj kohe.

4. Mund të shihet nga hapësira
Times Square nuk e ka kot nofkën “The Great White Way”. Me mijëra tabela digjitale dhe reklama të ndriçuara, zona është aq e ndritshme natën, saqë mund të dallohet lehtësisht nga astronautët në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor. Madje, ndërtesat janë të detyruara me ligj të kenë një sasi minimale ndriçimi fasade.
5. Arti është i fshehur gjithkund
Në zemër të Times Square-it, kudo ku të hedhësh sytë, mund të hasësh art të fshehur. Në këndin për këmbësorë ku Broadway takon Avenynë e Shtatë, ndërmjet rrugëve 45 dhe 46, vizitorët mund të dëgjojnë një “gumëzhimë” të çuditshme. Ky është një instalacion zanor nga artisti Max Neuhaus, vendosur fillimisht në vitin 1977 dhe ringjallur në 2002. Ndërkohë, pak para mesnate çdo ditë, të gjitha ekranet në Times Square sinkronizohen për një ekspozitë dixhitale që ndryshon çdo muaj. Në mars, p.sh., ekraneve iu dha “She Never Dances Alone” nga artisti Jeffrey Gibson – një homazh për kulturën indigjene.
6. Automjetet kalonin këtej deri në vitin 2009
Në maj të vitit 2009, segmenti i Broadway-t ndërmjet rrugëve 42 dhe 47 u mbyll për qarkullimin e veturave, me qëllim përmirësimin e qarkullimit. Rezultati? Rreth 400,000 këmbësorë e përshkojnë zonën çdo ditë. Ky sukses frymëzoi hapjen e shumë zonave të tjera për këmbësorë në qytet, përfshirë Union Square.
7. Mund të bëni një shëtitje të udhëhequr nga aktorë
Për të pasur një përjetim më të afërt me distriktin teatror, mund t’i bashkoheni një turneu Broadway Up Close, të udhëhequr nga aktorë dhe anëtarë të stafit teknik. Turneu Broadway’s Beginnings zhvillohet çdo të mërkurë, të premte dhe të diel, në orën 11:00 të mëngjesit.
8. Ndërtesa One Times Square është pothuajse bosh
Megjithëse është një nga pronat më të shtrenjta në SHBA dhe ndërtesa simbol që i dha emrin zonës –One Times Square sot strehon vetëm një farmaci Walgreens në katin përdhes dhe zyrat për organizimin e eventit të Vitit të Ri. Pjesa tjetër është bosh. Të ardhurat që fitohen nga reklamat gjigante të fasadës janë të mjaftueshme për të mbajtur ndërtesën funksionale pa pasur nevojë për qiramarrës të tjerë.
Nëse mendonit se e njihnit Times Square-in mirë, ndoshta këto fakte ju bënë të mendoni sërish! /Katror.info
Përgatiti:
