Sot, në koordinim mes Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Gjykatës Themelore në Prishtinë, është mbajtur për herë të parë seanca gjyqësore përmes videolidhjes.
I burgosuri nga Qendra e Paraburgimit në Gjilan është paraqitur përmes videolidhjes, ndërsa gjyqtarja Fatime Dermaku ka udhëhequr seancën nga ambientet e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Kjo mënyrë e mbajtjes së seancave gjyqësore përmes videolidhjes synon lehtësimin e procesit gjyqësor, duke zvogëluar nevojën për transport fizik të të burgosurve drejt gjykatave, duke rritur sigurinë dhe efikasitetin në procedura.
Për realizimin e kësaj seance janë përdorur pajisje të avancuara audio dhe video për incizimin dhe regjistrimin e seancave gjyqësore. Këto pajisje, janë dhuruar nga Byroja për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL), do të ndihmojnë në lehtësimin e punës së Shërbimit Korrektues dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në fushën e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.
Sipas tyre, ky është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit korrektues dhe drejtësisë në vend, duke kontribuar në rritjen e sigurisë gjatë procedurave gjyqësore dhe duke përmirësuar qasjen e të burgosurve në proceset gjyqësore në mënyrë më efikase dhe të sigurt./Telegrafi/Katror.info