Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka njoftuar se do të mbajë një sesion informues online për mundësitë e subgranteve që ofron për OJQ-të, mediat dhe organizatat me fokus në komunitet.
Takimi do të mbahet të martën, më 24 qershor 2025, duke filluar nga ora 10:00, përmes platformës Microsoft Teams. Gjatë sesionit, pjesëmarrësit do të njoftohen në detaje për kriteret e aplikimit, procesin e përzgjedhjes dhe mënyrat se si mund të përfitojnë nga kjo thirrje për mbështetje financiare.
Përfaqësues të KDI-së do të ofrojnë një përmbledhje të mundësisë së subgranteve, do të shpjegojnë kush mund të aplikojë dhe si, si dhe do të japin informacione mbi afatet kohore dhe mbështetjen teknike që do të ofrohet gjatë procesit.
Në fund të sesionit është paraparë edhe një kohë për pyetje dhe përgjigje, ku pjesëmarrësit do të kenë mundësi të marrin sqarime shtesë rreth aplikimit dhe kritereve për përzgjedhje.
Të interesuarit mund të kyçen në takim përmes këtij linku: https://shorturl.at/AhKUz, ndërsa për pyetje shtesë, KDI fton të kontaktohet në adresën: [email protected].
Kjo nismë synon të rrisë kapacitetet e organizatave vendore dhe të fuqizojë rolin e tyre në zhvillimin demokratik dhe pjesëmarrjen qytetare./Katror.info