Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka shpallur një thirrje publike për angazhimin e 22 trajnerëve profesionalë në Qendrat e Aftësimit Profesional në kuadër të projektit për reformën e asistencës sociale, shkruan Katror.info.
Qëllimi i kësaj thirrjeje është të fuqizojë më tej Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës, duke mundësuar ofrimin e trajnimeve të specializuara për përfituesit e asistencës sociale, me synim integrimin e tyre të qëndrueshëm në tregun e punës.
Trajnimet do të zhvillohen në gjashtë qendra kryesore të aftësimit profesional në vend: Prishtinë, Prizren, Pejë, Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë. Fushat e trajnimeve përfshijnë profesione të ndryshme praktike dhe kërkohen trajnerë të kualifikuar me përvojë për t’i udhëhequr ato.
Të gjithë të interesuarit ftohen të aplikojnë duke dërguar dokumentacionin e kërkuar (CV, dokument identifikimi, referenca dhe dokumente shtesë) në adresën elektronike: [email protected].
Për më shumë informacione dhe për detaje të plota rreth thirrjes, aplikuesit mund të vizitojnë faqen zyrtare të ministrisë në këtë link: https://mfpt.rks-gov.net/….
Kjo iniciativë është pjesë e përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për të rritur përfshirjen në punësim, në veçanti për grupet në nevojë, duke ofruar aftësi praktike dhe mundësi të reja për vetëpunësim apo punësim të drejtpërdrejtë./Katror.info