Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, Europe House në Prishtinë organizoi një panel diskutimi frymëzues në bashkëpunim me Innovation Centre Kosovo dhe STIKK – Kosovo ICT Association, shkruan Katror.info.
Në këtë ngjarje morën pjesë katër sipërmarrës të rinj dhe kreativë vendorë: Martin Berisha nga Kosovo Glass Recycling, Fatlum Meholli nga More than Cup, Njomza Havolli nga Dare to Create dhe Erion Vrella nga Gen Z Digital. Ata ndanë historitë e tyre personale, sfidat me të cilat janë përballur gjatë rrugëtimit të tyre dhe arritjet e rëndësishme që kanë realizuar.
Diskutimi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit, inovacionit dhe qëndrueshmërisë në ndërtimin e bizneseve që sjellin ndikim pozitiv në komunitet. Pjesëmarrësit patën mundësinë të ndërveprojnë, të bëjnë pyetje dhe të marrin frymëzim për idetë e tyre të ardhshme.
Kjo ngjarje nënvizoi rolin thelbësor që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, duke nxitur zhvillimin e ideve të reja dhe promovimin e një ekosistemi biznesi më të qëndrueshëm dhe inovativ./Katror.info