Vazhdimi i seancës konstituive të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, i cili ishte paraparë të mbahej sot për herë të 38-të, u ndërpre pak pasi nisi. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi se vendimi u mor në konsultim me përfaqësuesit e partive politike, për t’u përgjigjur takimit të ftuar nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që do të mbahet nesër, shkruan Katror.info.
“Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të enjten, sot u takuam me përfaqësuesit e partive për një konsultë paraprake dhe u dakorduam që të ndërprejmë seancën, pasi që nesër do të mbahet një takim i ftuar nga partia më e madhe politike. Seanca do të vazhdojë më 29 qershor, në orën 11:00. Shpresojmë që kësaj radhe t’i jepet fund ngërçit”, tha Dehari.
Në sallë ishin të pranishëm 100 deputetë, ndërsa takimi konsultativ i kryesuesit Dehari me përfaqësuesit e partive zgjati pak minuta para ndërprerjes së seancës.
Kjo është përpjekja e 38-të për të konstituar legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që solli zhvillime të reja në këtë proces.