Në kuadër të shënimit të 15-vjetorit të themelimit, platforma mediale, edukative dhe kulturore Kosovo 2.0 ka hapur zyrtarisht librarinë e saj konceptuale më 27 qershor, në hapësirat e Hub-it të saj në Prishtinë, shkruan Katror.info.
E menduar si një hapësirë gjithëpërfshirëse për lexim, diskutim dhe bashkëveprim, libraria konceptuale sjell botime të pavarura nga Kosova dhe rajoni, përfshirë revista, libra artistikë, ese dhe publikime të tjera të përzgjedhura me kujdes, por jo vetëm. Ajo është konceptuar edhe si coffee shop, ku njerëzit mund të mblidhen, diskutojnë, ndajnë përvoja dhe të sjellin ndryshime thelbësore shoqërore.
Përveç produkteve dhe botimeve të vetë K2.0, kjo hapësirë ofron qasje në tituj që adresojnë tema shoqërore, politike dhe kulturore, duke i kontribuar një diskursi më të gjerë rajonal dhe duke promovuar zërat alternativë.
“Në K2.0 nuk e kemi parë kurrë veten vetëm si një platformë mediale, por si një arkiv të gjallë, që pasurohet e jeton bashkë me ne, duke shërbyer si vend ku, bashkë me ngjarjet, dokumentohen përjetimet, dyshimet, pyetjet e rezistenca”, thuhet në njoftimin e K2.0 në rrjetet sociale.
Libraria do të jetë e hapur për publikun si vend ku njerëzit mund të lexojnë, punojnë, diskutojnë ose thjesht të takohen dhe të krijojnë lidhje të reja përmes librit dhe rrëfimit.
Nisma synon të nxisë një kulturë më të thelluar të leximit kritik dhe të dokumentimit të përvojave njerëzore nga një perspektivë e pavarur.
E themeluar në vitin 2010, si platforma e parë e blogut në Kosovë, K2.0 e zgjeroi dhe dëshmoi veten si një zë kritik dhe i besueshëm i gazetarisë në vend dhe përtej. Përgjatë viteve, K2.0 prodhoi një numër të revistave të shtypura në tema të caktuara, para se të kalojë në një model të revistës online./Katror.info