Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
“Pas festës për nder të Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve që u mbajt mbrëmë në ambasadën amerikane, Presidentja Osmani e uroi edhe një herë znj. Prattipati në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke ritheksuar mirënjohjen e thellë për mbështetjen e palëkundur amerikane përgjatë viteve”, thuhet në njoftim të Presidencës.
Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit në vend, me fokus të veçantë në ciklin e ri të konsultimeve me partitë politike lidhur me konstituimin e Kuvendit, në dritë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.KO124/25.
Presidentja Osmani dhe Prattipati diskutuan për çështje të ndryshme në kuadër të bashkëpunimit bilateral, duke rikonfirmuar përkushtimin për avancimin tutje të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve./Katror.info