Gjatë muajve korrik dhe gusht, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” do të mirëpresë mërgimtarët me një program të pasur kulturor.
Institucioni ka bërë të ditur se për të gjithë bashkatdhetarët që vizitojnë vendlindjen, do të organizohen aktivitete të ndryshme kulturore si dhe vizita të udhëhequra në hapësirat e bibliotekës, shkruan Katror.info.
Pjesë e këtyre vizitave do të jenë edhe koleksionet e veçanta si biblioteka personale e Hasan dhe Esad Mekulit, e Adem Demaçit dhe e Fehmi Aganit.
Për të lehtësuar pjesëmarrjen, Biblioteka ka zgjatur edhe orarin e punës deri në ora 21:00 gjatë këtyre dy muajve, duke ofruar më shumë kohë për vizitorët që dëshirojnë të eksplorojnë pasurinë e saj kulturore dhe historike./Katror.info