Prizreni do të gjallërohet nga tingujt muzikorë të NGOM Fest 2025, një nga festivalet më të njohura ndërkombëtare të muzikës në Kosovë, i cili nis sonte në kalanë historike të qytetit, shkruan Katror.info.
Festivali do të zgjasë nga 3 deri më 6 korrik, duke sjellë një program të pasur katërditor me performanca të artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë në zhanre të ndryshme, përfshirë Rock, Alternative dhe Elektronike.
Edicioni i sivjetmë i NGOM Fest, i cili organizohet që nga viti 2011, pritet të tërheqë një numër të madh vizitorësh, njësoj si vitet e kaluara. Artistë të njohur si Acer, Mscream, Mak Zøgaj, Sıngı, Buta, Dhjetori, Shpat Deda, Dren Abazi, Armen Miran, George Adi e shumë të tjerë do të performojnë në një skenë që bashkon energjinë muzikore me atmosferën unike të Kalasë së Prizrenit.
Përmes këtij festivali, Prizreni shndërrohet për disa ditë në qendrën e kulturës dhe artit alternativ në Kosovë, duke mbledhur dashamirë të muzikës nga vendi dhe bota.
Organizatorët janë shprehur të bindur se NGOM Fest 2025 do të jetë një tjetër edicion i suksesshëm, me atmosferë të paharrueshme dhe pjesëmarrje të gjerë./Katror.info