Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vlerësuar pikën doganore Morinë–Vërmicë si një nga shembujt më të suksesshëm të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Në një postim në Facebook, Rama theksoi se kjo pikë ka ndikuar ndjeshëm në lehtësimin e qarkullimit të udhëtarëve dhe në reduktimin e kohës së zhdoganimit për bizneset në të dy anët e kufirit, shkruan Katror.info.
Sipas të dhënave të publikuara nga kryeministri, gjatë periudhës janar-maj 2025, dogana Morinë–Vërmicë ka përballuar një fluks të konsiderueshëm: mbi 3 milionë shtetas dhe 1.1 milionë automjete kanë kaluar përmes kësaj pike kufitare.
Gjatë një vizite të përbashkët në këtë doganë, ministri i Financave i Shqipërisë, Petrit Malaj, dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës, Hekuran Murati, konfirmuan angazhimin për të rritur cilësinë e shërbimeve dhe për të garantuar funksionimin 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Ata theksuan se po punohet për të eliminuar çdo vonesë në këtë pikë strategjike për lidhjen mes dy vendeve./Katror.info