Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se komuna ka ndërmarrë masa konkrete për të liruar hapësirat publike që për vite me radhë kanë qenë të uzurpuara ilegalisht nga parkingje private pa leje.
Në një postim në Facebook, Rama theksoi se disa prej këtyre venparkimeve tashmë janë mbyllur, në kuadër të një aksioni për rikthimin e hapësirave publike për qytetarët e kryeqytetit.
“Po ua kthejmë qytetarëve hapësirat publike! Çdo hapësirë e uzurpuar po lirohet në mënyrë që qytetarët të kenë qasje të lirë dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre në qytetin e tyre,” shkroi Rama.
Ai shtoi se mbyllja e këtyre parkimeve ilegale synon të përmirësojë qarkullimin dhe cilësinë e jetës urbane në Prishtinë, duke vënë në qendër të vëmendjes qytetarin si prioritet.
Ky aksion pritet të vazhdojë në ditët në vijim./Katror.info