Kosova është larguar nga Lista e Shteteve Fragjile dhe në Situatë Konflikti e Bankës Botërore, një zhvillim i rëndësishëm që përfaqëson një hap të madh përpara në konsolidimin e stabilitetit institucional dhe qëndrueshmërisë ekonomike të vendit, shkruan Katror.info.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili theksoi se ky vendim vjen pas më shumë se 15 vitesh anëtarësim të Kosovës në Bankën Botërore.
“Këtë javë kemi pranuar njoftimin që Kosova është larguar nga kjo listë. Ky ndryshim përbën avancim të jashtëzakonshëm dhe i vulos arritjet tona si shtet”, deklaroi Murati, duke shtuar se ky zhvillim do të ndikojë pozitivisht në perceptimin ndërkombëtar ndaj Kosovës dhe do të rrisë besimin e investitorëve të huaj.
Sipas ministrit, ky sukses është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me Bankën Botërore, por edhe i koordinimit të mirë ndërmjet institucioneve vendore, përfshirë Ministrinë e Financave dhe Bankën Qendrore të Kosovës.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka mirëpritur vendimin e Bankës Botërore për ta hequr zyrtarisht Kosovën nga Lista e Vendeve me Situata të Brishtësisë dhe Konfliktit (Fragile and Conflict-Affected Situations – FCS), e njohur ndryshe edhe si Lista FCV (Fragility, Conflict, and Violence).
Disa nga përfitimet kryesore që priten për Kosovën pas heqjes nga lista FCS përfshijnë:
Përmirësim të perceptimit ndërkombëtar për stabilitetin institucional dhe ekonomik të vendit;
Rritje të besimit të investitorëve dhe ulje të vlerësimeve për rrezik financiar;
Mundësi më të favorshme për financim zhvillimor dhe qasje në kapital privat; dhe
Komplementon vlerësimin e parë të sovran kreditor të Kosovës, që konfirmon trendin pozitiv në qeverisje dhe themelet ekonomike të vendit.
/Katror.info