524.1 milionë euro janë të hyrat e Administratës Tatimore të Kosovës për periudhën janar – qershor të këtij viti.
Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, në një konferencë për media ka thënë se kjo përbën rritje prej 50.9 milionë euro ose 10.8 për qind, krahasuar më periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Tutje ai ka thënë se vizioni i institucionit është drejt ndërtimit të një administrate tatimore të krahasueshme me administratat tatimore të vendeve të zhvilluara.
“Bazuar në raportin e FMN-së të publikuar në janar të vitit 2025, sipas anketës ISORA, e cila bënë matjen e performancës së autoriteteve tatimore në gjithë botën, Kosova gjegjësisht Administrata Tatimore e Kosovës, rezulton që nga 8 indikatorët matës, në 7 prej tyre të jetë shumë më mirë se vendet në zhvillim, pra përfshirë edhe vendet e Ballkanit. Ndërsa në 5 nga 8 këta indikatorë, është te mesatarja apo mbi mesataren e vendeve të zhvilluara, përfshi këtu vendet e BE-së”, tha ai.
Murtezaj më tej ka thënë se reforma në procesin e fiskalizimit, do ta mundësojë përmes një aplikacioni nga qasja harduerike të kalohet në qasje softuerike./RTK/Katror.info