Me mbështetjen e GIZ Kosova, Kosovo 2.0 së fundmi ka lansuar Librarinë Konceptuale, një hapësirë e re që i dedikohet botimeve të pavarura nga Kosova dhe rajoni. Kjo librari përmban një koleksion të zgjedhur revistash, librash artistikë dhe titujsh, përfshirë edhe trashëgiminë editoriale të revistës Kosovo 2.0, bashkë me produktet e tyre, si bluza dhe totebags.
“Libraria, që gjendet në hapësirat e Kosovo 2.0, shërben si arkiv i gjallë i shprehjes kreative dhe si një vend takimi për punë, diskutime dhe angazhim në komunitet”, thuhet në njoftimin e GIZ Kosova.
Ky projekt realizohet falë mbështetjes financiare nga Bashkimi Evropian dhe Republika Federale e Gjermanisë, përmes programit #SustainMedia, i cili zbatohet nga GIZ në partneritet me DW Akademie dhe Internews.
Kësisoj, GIZ Kosova vazhdon të kontribuojë në fuqizimin e mediave të pavarura dhe kulturës së leximit, duke siguruar hapësira ku kreativiteti dhe liria e shprehjes mund të lulëzojnë.
Gjithashtu së bashku me Librarinë Konceptuale, në shënim të 15-vjetorit të themelimit të Kosovo 2.0 më 27 qershor, u lansua edhe botimi “Fragmente të jetuara”, një përzgjedhje rrëfimesh të botuara në K2.0 gjatë viteve 2010–2025, që pasqyrojnë përvojat personale dhe kujtesën kolektive të këtyre viteve./Katror.info