Gara për Prishtinën ka nisur të marrë formë. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka zyrtarizuar kandidaturën e kryetarit aktual Perparim Rama, derisa një gjë e tillë është bërë më herët nga Vetëvendosja që e kanë nominuar ministrin aktual të Kulturës, Hajrulla Çekun shkruan Katror.info.
Në një konferencë për media pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë të enjten, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixihiku ka zyrtarizuar kandidaturën e Përparim Ramës për Prishtinën.
Deri më tani, katër kandidatë janë zyrtarizuar për të garuar për kryetar/e të Komunës së Prishtinës: Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Hajrulla Çeku nga Lëvizja Vetëvendosje (VV), Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Besa Shahini nga Partia Socialdemokrate (PSD).
Lëvizja Vetëvendosje ka zyrtarizuar kandidaturën e Hajrulla Çekut më 18 qershor. Ai ka shërbyer si Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Qeverinë Kurti dhe është emri me të cilin VV synon të rikthejë qeverisjen lokale në kryeqytet.
Nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kandidati për Prishtinën do të jetë deputeti Bekë Berisha.
Ndërkaq, deri tani e vetmja kandidate grua për Prishtinën është Besa Shahini nga PSD. Ajo ka qenë Ministre e Arsimit në Shqipëri.
Zgjedhjet lokale pritet të mbahen më 12 tetor të këtij viti, ndërsa pritet që në javët në vijim edhe parti të tjera të shpallin kandidatët e tyre për komunat kryesore të vendit. /Katror.info
Përgatiti:
