Ndërsa shumë vende po përpiqen të ndalojnë përdorimin e telefonave të mençur në shkolla, një studim i ri nga Holanda – një nga të parat që e ka zbatuar këtë ndalim – tregon se ky vendim i ka bërë nxënësit më shoqërorë, u ka përmirësuar përqendrimin dhe ka ndikuar pozitivisht në rezultatet akademike.
Sipas një studimi të porositur nga qeveria holandeze, tre të katërtat e 317 shkollave të mesme të anketuara thanë se ndalimi ka përmirësuar përqendrimin e nxënësve, ndërsa gati dy të tretat raportuan një përmirësim në klimën sociale. Një e treta e shkollave vuri re rritje në performancën akademike, shkruan PositiveNews, përcjell Katror.info.
“Më pak shpërqendrim, më shumë vëmendje ndaj mësimit dhe nxënës më shoqërorë – ndalimi i telefonave në klasa po sjell efekte shumë pozitive,” tha për Reuters sekretarja shtetërore për arsimin fillor dhe të mesëm, Marielle Paul.
Ndalimi i pajisjeve digjitale në shkollat holandeze hyri në fuqi më 1 janar 2024, duke frymëzuar edhe vende të tjera që të ndjekin shembullin, përfshirë Francën, Hungarinë dhe Finlandën.
Shumë shkolla në Mbretërinë e Bashkuar gjithashtu kanë zbatuar ndalime të ngjashme, pjesërisht falë lëvizjes në rritje Smartphone Free Childhood./Katror.info