Festivali ‘CrossRoads’ rikthehet këtë verë me tri ditë të mbushura me art, kulturë dhe aventurë në Han të Elezit.
Më 18, 19 dhe 20 korrik, ky qytet kufitar do të shndërrohet në një pikë takimi për të rinj, artistë dhe komunitete nga vende të ndryshme, në një festë që tejkalon kufijtë gjeografikë dhe kulturorë, shkruan Katror.info.
Me moton “The Paths We Walk Together”, edicioni i sivjetmë synon të krijojë një hapësirë të përbashkët për dialog, krijimtari dhe bashkëjetesë përmes aktiviteteve të ndryshme edukative dhe artistike.
Ja çfarë do të ofrojë festivali gjatë tri ditëve:
Gjatë tri ditëve të festivalit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të marrin pjesë në një gamë të gjerë aktivitetesh, përfshirë hiking në natyrë, performanca muzikore live, punëtori kreative, ekspozita arti dhe instalacione vizuale.
Po ashtu, në program përfshihen edhe aktivitetet interaktive në fushat e shkencës, teatrit dhe teknologjisë, duke e shndërruar festivalin në një përvojë gjithëpërfshirëse për të gjitha moshat dhe interesat.
CrossRoads është projektuar si një hapësirë e hapur për eksplorim kulturor dhe bashkëkrijim, ku arti dhe komuniteti ndërthuren në mënyrë organike.
Nata e parë e festivalit do të hapet me një performancë solemne nga Kori Siparantum, një nga ansamblet më të njohura të muzikës korale shqiptare, i cili vjen nën drejtimin e dirigjentit Memli Kelmendi.
Ky kor, i renditur mes 50 më të mirëve në botë dhe i dekoruar me dhjetëra çmime ndërkombëtare, pritet të sjellë një përvojë artistike të thellë dhe emocionale. Interpretimi i tyre në CrossRoads Festival do të vendosë tonin e një hapjeje që i tejkalon kufijtë e zakonshëm të përjetimit muzikor, aty ku kulturat takohen dhe krijojnë ura të reja përmes artit.
Meli Qena sjell magjinë e teatrit për fëmijë në CrossRoads Festival 2025!
Një nga emrat më të njohur dhe më të dashur të skenës teatrore kosovare, Meli Qena, do të jetë pjesë e CrossRoads Festival këtë verë me punëtorinë unike teatrale “Duart Flasin”.
Kjo punëtori zhvillohet më 18, 19 dhe 20 korrik, prej orës 12:30 deri në 14:30, në sallën e teatrit të Qendrës së Kulturës në Han të Elezit, dhe është e dedikuar për fëmijë të moshës 7–11 vjeç.
Në “Duart Flasin”, Meli do t’i ftojë fëmijët të eksplorojnë fuqinë e gjuhës së trupit përmes përdorimit të duarve dhe dorëzave si mjete shprehëse për të treguar histori. Kjo punëtori do të jetë një përzierje argëtuese e lojës, imagjinatës dhe artit skenik, ku fëmijët do të afrohen në mënyrë kreative me magjinë e teatrit dhe do të nxisin shprehjen e lirë artistike.
Pjesëmarrja e Meli Qenës në festival është një dhuratë e veçantë për të gjithë fëmijët dhe një mundësi e rrallë për të mësuar nga një artiste që i ka kushtuar jetën rritjes dhe edukimit të brezave të rinj përmes artit.
2 Aktorët nga Barcelona për herë të parë në Hanin e Elezit
Insolita Company (Barcelon, Spanjë)
Një shfaqje energjike dhe plot humor për moshën 5+, ku dy artistë sjellin lojë, komedi dhe lojë fizike në rrugë ose në skenën kryesore të festivalit. “The Excéntricos” janë një përvojë argëtuese që ngjall buzëqeshje dhe ndërveprim me publikun, për fëmijë dhe të rritur njësoj.
Mbrëmje me muzikë live në natën e parë të festivalit!
Pas ditës së mbushur me aktivitete në natyrë, nata e 18 korrikut kulmon me një performancë muzikore nga Shpend Hysaj & Band, që do të mbahet në BLLACA 99, Han i Elezit, duke filluar nga ora 22:00.
Me një repertor të zgjedhur dhe tinguj që kombinojnë ndjeshmërinë me energjinë e muzikës live, kjo mbrëmje muzikore do të sjellë emocione të forta në atmosferën e hapur të festivalit.
Përveç Shpend Hysajt në vokal, në skenë do të ngjiten edhe: Artan Kastrati në piano, Bekim Kepuska në bateri dhe Kushtrim Shemsedini në kitare.
Kjo performancë është pjesë e natës së parë të CrossRoads Festival, duke ofruar një mbyllje të denjë të një dite të pasur me art, natyrë dhe bashkëkrijim.
Hyrja është falas, dhe atmosfera pritet të jetë e hapur, e gjallë dhe e mbushur me ritëm – aty ku kufiri shndërrohet në skenë arti.
Çka tjetër ju pret në CrossRoads Festival? Një ecje për të mos u harruar në zemër të natyrës
Përveç performancave artistike dhe programit kulturor, CrossRoads Festival 2025 ofron edhe një përvojë të veçantë për adhuruesit e natyrës dhe ecjes në terren – “Hiking i Kujtesës”, një aktivitet i hapur për publikun që zhvillohet të shtunën, më 19 korrik.
Ecja fillon nga Qendra e Kulturës në Han të Elezit, me grumbullimin e pjesëmarrësve nga ora 08:30 deri në 09:00.
Pas këtij grumbullimi, pjesëmarrësit do të udhëtojnë me autobus drejt lagjes Laç, prej nga niset ecja në këmbë përmes një itinerari të gjelbër dhe historik: Reka e Laçit, Parku i Myshqeve dhe Currelave, Kodra e Livadhit dhe Kodra e Fazlis, për të mbërritur më pas në destinacionin final – pishat e fshatit Goranc.
Aty do të mbahet edhe “Green Path Workshop”, një sesion praktik mbi orientimin në natyrë dhe bashkëjetesën ekologjike, që zhvillohet nga ora 15:00 deri në 16:00. Pjesëmarrësit do të mësojnë aftësi bazë për mbijetesë, analizë të terrenit dhe orientim pa teknologji, ndërsa theksi vendoset tek vetëdijesimi mjedisor dhe respekti ndaj natyrës.
Punëtoria udhëhiqet nga Bedri Bushi, udhërrëfyes me përvojë, dhe Agron Qajani, njohës i terrenit lokal. Aktiviteti është falas, i hapur për të rinj dhe të rritur mbi moshën 16 vjeç, dhe për të marrë pjesë nevojitet vetëm pak përgatitje fizike, dëshirë për të lëvizur dhe dashuri për natyrën.
Instalacione Drite: Tingujt e Horizontit!
Më 19 korrik, në ora 21:00, hapësira industriale e fabrikës Sharrcem në Han të Elezit do të transformohet përmes performancës audio-vizuale “Tingujt e Horizontit”, një instalacion i veçantë drite dhe muzike që sjell në skenë Florian Çangën dhe Alzan Gashin me veprën “I Pari Ishte Tingulli”.
Përmes ndërthurjes së tingujve të pianos me projeksione të dritës mbi muret e fabrikës, kjo ngjarje krijon një përvojë ndjesore unike, ku arti shpaloset në kufirin mes muzikës, dritës dhe hapësirës.
Edona Reshitaj sjell magjinë e zërit në CrossRoads Festival!
Më 19 korrik në orën 21:45, Edona Reshitaj do të ndezë skenën e CrossRoads Festival në parkingun e Qendrës së Kulturës në Han të Elezit.
e zërin e saj të fuqishëm dhe prezencën magjike, ajo do të sjellë një performancë të paharrueshme plot emocion. Hyrja është falas. /Katror.info