Sulmuesi i talentuar i Kombëtares së Kosovës, Fisnik Asllani, ka zgjatur zyrtarisht bashkëpunimin me ekipin gjerman Hoffenheim, duke nënshkruar një kontratë të re që do ta mbajë në klub deri në verën e vitit 2029.
Njoftimi u konfirmua nga klubi gjerman këtë të diel, duke theksuar se Asllani është tashmë pjesë e planeve afatgjata të skuadrës. Futbollisti 22-vjeçar vjen nga një sezon mbresëlënës në Bundesliga 2 me skuadrën Elversberg, ku ishte i huazuar. Gjatë edicionit 2023/24, ai shënoi 18 gola dhe dha 9 asistime, duke tërhequr vëmendjen për paraqitjet e tij të qëndrueshme.
Pas rinovimit, Asllani u shpreh entuziast për mundësinë që do të ketë për t’u dëshmuar në Bundesligën gjermane:
“Jam shumë i lumtur për këtë hap të rëndësishëm në karrierën time. E njoh ambientin, klubin dhe lojtarët, dhe ndihem gati për të dhënë maksimumin në elitën e futbollit gjerman.”
Rinovimi i kontratës sinjalizon besimin që Hoffenheim ka në potencialin e tij si një sulmues premtues. Ai pritet të ketë një rol kyç në sezonin e ardhshëm dhe të sjellë freski në repartin ofensiv të skuadrës./Katror.info