Skuadra kampione e Kosovës në futboll, FC Drita, është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për ndeshjen kthyese ndaj Differdange, e cila zhvillohet të martën mbrëma në Luksemburg, në kuadër të raundit të parë kualifikues për Ligën e Kampionëve.
Ekipi nga Gjilani ka përfunduar seancën e fundit stërvitore, vetëm një ditë para përballjes vendimtare. Përmes një njoftimi zyrtar, klubi ka bërë të ditur se atmosfera në kamp është jashtëzakonisht pozitive.
“FC Drita kreu stërvitjen e fundit para ndeshjes. Përgatitjet po zhvillohen me intensitet të lartë, ndërsa lojtarët janë të motivuar dhe të fokusuar për ndeshjen e nesërme“, thuhet në njoftimin e klubit.
Drita ka një avantazh minimal prej 1-0 nga ndeshja e parë e luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Megjithatë, rezultati lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit.
Nëse arrin të sigurojë kualifikimin ndaj Differdange, Drita do të përballet me skuadrën daneze FC Copenhagen në raundin e dytë të këtij kompeticioni evropian elitar./Katror.info