Në Qendrën e Inovacionit të Kosovës (ICK), u mbajt një trajnim ndërgjegjësues për mjedisin me të rinj nga komuna të ndryshme të vendit. Qëllimi ishte të forcohet mendimi kritik dhe të rritet vetëdija mjedisore tek brezi i ri.
“Fëmijët që unë i takova sot janë të mrekullueshëm, janë si burime energjie dhe janë ata që po e sjellin të ardhmen në shtet, në shoqëri, buzëqeshjet e tyre, inspirimet dhe motivimi i tyre – kjo është shtysa për të gjithë shoqërinë dhe kjo është pse është e rëndësishme tqë angazhohemi me ta në mënyrë të barabartë” – tha Alenka Lena Klopčič, eksperte nga Sllovenia për Klimën dhe Energjinë.
Përmes aktiviteteve interaktive, këta të rinj patën mundësinë të eksplorojnë vetën dhe të mësojnë mënyra të reja për t’u përfshirë në aktivizmin qytetar dhe mjedisor, – shkruan Katror.info.
Trajnimi u mbajt në kuadër të projektit “Qëndrueshmëria Mjedisore me Fëmijët”, i implementuar nga organizata EcoZ, në partneritet me Save the Children Kosova/o dhe me mbeshtetje nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim.
“Edhe fëmijët e Kosovës kanë shumë nevojë për me pasë një trajnim nga ndërkombëtarët, sepse sillet një lloj i frymës tjetër… Po them trajnim, se kjo më shumë ka qenë ndoshta një aspekt i motivimit dhe një aspekt i integrimit të fëmijëve, që këta me mujt me kuptu që ka mundësi shumë më shumë sesa Kosova, nëse dojnë për me përmirësu planetin tone, që territorialisht apo kufijtë gjeografik janë veç kufij në letër, e që kontributi i tyre mundet me qenë edhe ma i madh dhe ma i gjerë, m’u përhap më shumë nëpër regjione e nëpër territore të ndryshme” – u shpreh Egzona Shala Kadiu, drejtoreshë Ekzekutive e EcoZ.
Nxënësit e shkollave te mesme u inkurajuan të ndajnë përvojat e tyre personale dhe të reflektojnë mbi lidhjen emocionale qe kane me natyrën.
“Pjesa e mjedisit është një prej pjesëve më të ndijshme dhe më të mira për me punu se ka shumë mënyra kreative, se qysh me iu qas asaj, edhe njëra prej ideve kryesore pra ka qenë me qenë kreativ edhe në trajnimin e sotëm, se mendimet tona nuk janë asnjëherë gabim, vetëm se na nevojitet me ndërmarrë masa dhe me qenë një prej atyre që bën ndryshimin. Shumica prej neve, jo që nuk dojmë ndoshta me qenë pjesë e aktivizmit, po shpeshherë nuk jepet mundësia. EkoZ, në kuadër me bashkëpunëtorët e tyre, gjithmonë kanë qenë një derë e hapur për me qenë aktivist mjedisor, edhe për neve ka qenë një lehtësim shumë i madh” – tha nxënësi Diat Bekteshi.
“Mjedisi për mua është tepër, tepër temë serioze që na duhet me e marrë shumë më seriozisht sesa që merret edhe është e rëndësishme që jo veç unë, po edhe të tjerët me marrë pjesë secili në këto lloj aktivitetesh, për faktin se seriozisht mëson edhe mundesh pak me këqyr me reflektu në veti se a je tu i përmbush kriteret për me e mbrojtë pak mjedisin” – shtoi nxënësja Ema Kuçi.
EcoZ bashkë me partnerët ndërkombëtarë janë të vendosur të vazhdojnë këto aktivitete edhe në të ardhmen – duke i shndërruar njohuritë mjedisore të të rinjve në veprim konkret për natyrën dhe komunitetin./Katror.info.