Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim tenorin e mirënjohur ndërkombëtar, Ramë Lahaj, së bashku me të ftuarit special të edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Ramë Lahaj”. Ky festival, i cili tashmë është bërë pjesë e kalendarit kulturor evropian, po e kthen Prishtinën në një pikë referimi për artin operistik ndërkombëtar.
Delegacioni i pritur nga Presidentja Osmani përfshinte emra të njohur të skenës botërore të operës: Ramón Vargas – një prej tenorëve më të mëdhenj të kohës sonë, Anita Rachvelishvili – mezzosopranoja gjeorgjiane me famë ndërkombëtare, si dhe dirigjentin shqiptar Besmir Vokopola, raporton Katror.info.
Në takim, Presidentja vlerësoi lartë angazhimin dhe përkushtimin e Ramë Lahajt në promovimin e kulturës dhe artit të Kosovës në skenat ndërkombëtare. Ajo theksoi rëndësinë e këtij festivali si një platformë që jo vetëm sjell emrat më të mëdhenj të operës në vend, por edhe ngrit nivelin artistik e kulturor të Kosovës.
Ky edicion i pestë i festivalit “Ramë Lahaj” dëshmon vazhdimësinë dhe ndikimin e rëndësishëm që ai ka krijuar në jetën kulturore të vendit, duke e përforcuar imazhin e Kosovës si një vend që prodhon dhe mirëpret art me vlerë ndërkombëtare./Katror.info