Skuadra nga Tetova, Shkëndija, ka arritur një sukses të madh duke u kualifikuar në raundin e tretë të Ligës së Kampionëve, pas një fitoreje me rezultat 2-1 ndaj ekipit rumun FCSB, në ndeshjen e dytë të luajtur në stadiumin “Arena Nationala” në Bukuresht.
FCSB e nisi më mirë takimin dhe kaloi në epërsi në minutën e 28-të, kur Juri Cisotti përfitoi nga një pasim i Daniel Birligea për të realizuar golin e parë të ndeshjes.
Por reagimi i Shkëndijës erdhi shpejt. Vetëm pesë minuta më pas, Liridon Latifi përfitoi nga një situatë e ngatërruar në zonë për të barazuar rezultatin në 1-1.
Përfundimisht, goli vendimtar erdhi në minutën e 87-të, kur Vane Krstevski shënoi një gol të bukur me një parabolë që u devijua lehtë para se të përfundonte në rrjetë, duke i dhënë fitoren tetovarëve.
Shkëndija kalon kështu në raundin e tretë kualifikues, ku do të përballet me Qarabag nga Azerbajxhani. Kujtojmë se edhe në ndeshjen e parë të zhvilluar në Shkup, Shkëndija kishte fituar me rezultat 1-0.
Ndërkohë, FCSB do të vazhdojë garën në Europa League, ku do të ketë përballje me Dritën nga Kosova./Katror.info