Nënkampioni i Kosovës, FC Ballkani, ka bërë një hap të rëndësishëm drejt fazës “play-off” të Ligës së Konferencës, duke shënuar fitore minimale, por me shumë peshë, ndaj Shamrock Rovers me rezultat 1:0.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë u karakterizua nga dominimi i skuadrës së drejtuar nga trajneri Orges Shehi, e cila e kontrolloi lojën gjatë pjesës më të madhe të takimit.
Goli i vetëm u realizua në minutën e 56-të, kur sulmuesi Sunday Adetunji shënoi pas një asistimi të shkëlqyer nga Geralb Smajli, duke i dhënë epërsinë skuadrës nga Suhareka.
Ballkani pati edhe disa raste të mira për të dyfishuar rezultatin, por mungoi konkretizimi në finalizim. Tani, skuadra suharekase udhëton me moral të lartë në Irlandë për ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet pas një jave./RTK/Katror.info