Një kontingjent i forcave rezervë të NATO-s ka nisur dislokimin e përkohshëm në Kosovë, në përputhje me procedurat ekzistuese, për të zhvilluar një sërë aktivitetesh stërvitore me njësitë e KFOR-it, shkruan Katror.info.
Kontingjenti i parë i “Scots Guards”, një regjiment i lehtë këmbësorie i mekanizuar nga Mbretëria e Bashkuar, ka mbërritur tashmë në Kosovë, ku do të qëndrojë përkohësisht për qëllime stërvitore.
Ky aktivitet, që zhvillohet rregullisht, synon të rrisë gatishmërinë operacionale të KFOR-it dhe aftësinë për të reaguar në mënyrë efektive ndaj zhvillimeve të sigurisë.
Stërvitjet realizohen në kuadër të mandatit afatgjatë të KFOR-it, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, me misionin për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë, si dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), në përputhje me rolet e tyre si përgjegjës për sigurinë./Katror.info