Katër ndërtesa sociale shumëbanesore në Prishtinë dhe Hajvali janë rinovuar për të rritur efiçiencën e energjisë, në kuadër të Paketës së Mbështetjes për Energjinë të financuar nga Bashkimi Evropian, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, shkruan Katror.info.
Përurimi u bë sot me pjesëmarrjen e Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Ministres në detyrë të Ekonomisë Artane Rizvanolli, përfaqësuesve të BE-së dhe partnerëve komunalë e të projektit.
Me një investim mbi 1.19 milionë euro – 90% nga BE-ja dhe 10% nga Komuna – rreth 200 familje në nevojë sociale, ose 790 banorë, do të përfitojnë nga kostot më të ulëta të energjisë, kushte më të mira jetese dhe banesa më të qëndrueshme. Renovimet përfshijnë izolimin termik të kulmeve dhe mureve, ndërrimin e dyerve e dritareve, vendosjen e sistemeve të reja të ngrohjes, përmirësimin e ndriçimit dhe hapësirave të përbashkëta, si dhe masat e sigurisë.
Kryeministri Kurti tha se ky projekt është pjesë e një programi më të gjerë prej 6 milionë euro për rinovimin e 28 ndërtesave sociale në 13 komuna, që përfshin 889 familje, me plan për të zgjeruar ndërhyrjet në 400 objekte të tjera në të ardhmen.
Ministrja Rizvanolli nënvizoi se shumica e renovimeve në nivel vendi do të përfundojnë para dimrit, ndërsa përfaqësuesi i BE-së, Alessandro Bianciardi, theksoi se vetëm për dy ndërtesa në Prishtinë janë investuar rreth 650 mijë euro, duke sjellë përfitime të drejtpërdrejta për 100 familje.
Ky investim, i zbatuar nga Fondi për Efiçiencë të Energjisë i Kosovës, synon jo vetëm kursime në energji, por edhe përmirësimin e cilësisë së jetesës për familjet më në nevojë./Katror.info