Si u bë që Rock ‘n’ Rolli nga argëtimi shndërrohet në art, kulturë, dhe përhapet me përmasa të lëvizjeve të ndryshme tek të rinjtë. Edhe pse Rock krijuesit e viteve 1960, 1970, të lënë vepra aq të thella shpesh edhe nivelit fizofik e dukeshin si djem e vajza që zanatin e rock muzikës e kishin mësu në rrugë, bodrume ose garazhet e prindërve të tyre, gjë që në parim ishte e vërtet.
Rroku lindi gjatë dhe pas fenomenit kulturor që quhej Beat Culture, ose Gjenerata Beat, e cila ishte një lëvizje letrare dhe një fenomen shoqëror. Ajo u karakterizua nga një refuzim i vlerave tradicionale amerikane, një përqendrim te liria personale dhe spontaniteti, si dhe një stil jetese bohem. Kjo lëvizje është e njohur për ndikimin e saj në letërsi, muzikë dhe art, si dhe për eksplorimin e temave si tëhuajësimi, spiritualiteti dhe idetë kundër-kulturore. Pikërisht këtu, ndër të tjera, rock-u thithi edukimin e saj më të vlefshëm.
Në vitet 1950 dhe 1960, poetët Beat u bënë zëri i lëvizjeve kundër kulturës. Të rinjtë ishin brezi që kishin qenë fëmijë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ishin të trishtuar nga përmasat shkatërruese të asaj lufte, si në kuptimin fizik ashtu edhe në atë shpirtëror. Prandaj, shkrimet e tyre reflektonin ndikimin e ekzistencializmit. Shkrimtarët Beat eksperimentonin me formën dhe gjuhën që përdornin. Ata flisnin për tema tabu, si seksi dhe droga, në shkrimet e tyre – qoftë poezi, tregime të shkurtra apo romane. Allen Ginsberg dhe Jack Kerouac ishin pararendësit e kësaj lëvizjeje.
William Burroughs ishte një tjetër shkrimtar, pjesë e Gjeneratës Beat dhe mik i Allen Ginsberg-ut dhe Jack Kerouac-ut. Ai ka shkruar gjerësisht dhe në mënyrë të qartë rreth varësisë së tij ndaj drogës. Romani i tij i parë është “Junkie – Rrëfimet e një të pa shpëtuari nga droga”, të cilin e shkroi me pseudonimin William Lee.
Edhe pse nuk mbështeste përdorimin e drogës, përmes veprës së tij përpiqej të tregonte se çfarë do të thotë të jesh i varur dhe cilat janë realitetet që lidhen me të. Romani është gjithashtu autobiografik, pasi në atë kohë ai jetonte në Meksikë me gruan e tij, të cilën e vrau pa dashje nën ndikimin e drogës – një ngjarje që e ndryshoi përgjithmonë dhe e shtyu drejt shkrimit.
Duke përjetuar Depresionin e Madh, shkrimi i tij përshkohet nga humor i zi dhe sarkazëm. Ai ishte hapur një burrë homoseksual dhe i varur nga droga, në një Amerikë ku të dyja këto aspekte nuk ishin të pranueshme shoqërisht.
Duke ikur nga Meksika, ai shëtiti nëpër rajonin e Amazonës në Amerikën e Jugut, duke vazhduar eksperimentet e tij me drogë – një periudhë e jetës së tij e përshkruar në “Yagge Letters” (Letrat e Yage-it), korrespondencën me Ginsberg-un, të shkruar në vitin 1953, por të botuar vetëm në vitin 1963, si dhe në romanin Queer (1985; filmuar më 2024). Gjatë udhëtimeve, ai jetoi në Londër, Paris, Tanxher dhe New York City, ndërsa në vitin 1981 u vendos përfundimisht në Lawrence, Kansas.
Romani i tij “The Naked Lunch” (Paris, 1959; botuar në SHBA më1962; filmuar në vitin 1991) u përfundua pas trajtimit të tij për varësinë nga droga. Sipas Burroughs-it, të gjitha format e varësisë janë kundër produktive për shkrimin, dhe i vetmi përfitim që mori nga 15 vitet e tij si i varur ishte njohja me mjedisin e çuditshëm, të ngjashëm me një karnaval, ku përdoruesi i drogës është njëkohësisht pre dhe viktimë. Grotesku i kësaj bote satirizohet me gjallëri në “Naked Lunch”.

Në romanet që pasuan – ndër to “The Soft Machine” (1961), “The Wild Boys” (1971), “Exterminator!” (1973), “Cities of the Red Night” (1981), “Place Of Dead Roads” (1983), “The Western Lands” (1987) dhe “My Education: A Book Of Dreams” (1995) .
Si një nga ndikimet letrare ndoshta më të rëndësishme në muzikën moderne dhe kulturën pop, vizionet distopike dhe këndvështrimi anti-autoritar i William Burroughs kanë ndikuar dhe formësuar punën dhe idetë e një panteoni rokerësh: Bob Dylan, David Bowie, Mick Jagger, Lou Reed, Iggy Pop , Patti Smith , Frank Zappa, Kurt Cobhain, Sonic Youth etj.
Teknika “cut-up”, (Teknika e prerjes është një metodë shkrimi ku një tekst pritet në copa dhe rirregullohet për të krijuar një tekst të ri), që ai e bëri të famshme, pati një ndikim pararendës në mozaikun e copëzuar tingullor të hip-hop-it dhe ishte katalizatori pas imazheve të çrregullta të ZOO TV turneun të grupit U2. Huliganët e tij kozmikë, zhargoni hipster, vizionet nën ndikimin e drogës dhe titujt e romaneve të tij kanë qenë frymëzim për një sërë grupesh muzikore dhe filmash: Soft Machine, Steely Dan, Blade Runner, Dead Fingers Talk, Wild Boys, Interzone, The Mugwumps, Johnny Yen, Nova Mob, Thin White Rope etj.
Prania e zbehtë, spektrore e Burroughs-it zbukuron kopertinën ikonike të Sgt. Pepper’s, dhe madje edhe Duran Duran i bëri një homazh të dyshimtë “El Hombre Invisible”, duke e bazuar videon e tyre promocionale Wild Boys në tregimin futurist të Burroughs-it për një bandë të egër guerilësh adoleshentë.
Guruja i heavy metal” – Steppenwolf – huazoi frazën për himnin e tyre rock “Born To Be Wild” nga romani fantastiko-shkencor i Burroughs-it “The Soft Machine”, duke i dhënë kështu emrin një nën gjinie të tërë të rock-ut. Ai e shikonte këtë adhurim me një përzierje vetëdijeje dhe ironie. Në një intervistë me Jimmy Page kitaristin e Led Zeppelin, Burroughs pranoi se: “Rock mund të shihet si një përpjekje për të shpërthyer nga ky univers i vdekur dhe pa shpirt, dhe për të ripohuar universin e magjisë.”
Më 1965 Bob Dylan i thot mikut të përbashkët të tyre Alan Ginsberg, “Thuaji se e kam lexuar dhe besoj çdo fjalë që thotë”, për William Burroughs. Asokohe Dylan e pregatiste albumin e tij “Higway 61”. Kënga e dytë në album, “Tombstone Blues,” përmban më shumë personazhesh, përfshirë edhe disa që mund të jenë William S. Burroughs.
Njohësit e veprave të Dylanit besojnë se personazhi Brother Bill nga kënga “Tombstone Blues” është William Boroughs. Në pranverën e vitit 1965, Dylan po shkruante librin e tij të parë, “Tarantula”. Burroughs po përshtatej përkohësisht me jetën e re në Shtetet e Bashkuara, duke shkruar dhe botuar, dhe duke eksploruar skenën avangarde në New York kur ndodhi takimi i parë mes Burroughs dhe Dylan. Të dy ishin të shoqëruar nga miq dhe diskutuan për muzikën.
Burroughs u tregua qartazi i impresionuar nga Dylan. Po ashtu, puna dhe idetë e William S. Burroughs ushtruan një ndikim të dukshëm në shkrimet e Bob Dylan, veçanërisht në vitin 1965, kur gjuha e Dylan-it filloi të hapej dhe të shtyhej drejt avangardës — të bëhej më pak lineare, më impresioniste dhe të kujtonte qartësisht tregimet e shkurtra të Burroughs-it.

Gjatë viteve 1960, Burroughs u zhvendos në Londër, ku ai dhe Paul McCartney u bënë miq të papritur. McCartney madje e ndihmoi shkrimtarin në procesin e tij krijues, duke i huazuar një incizues për të punuar më lehtë në krijimet e tij “Spoken words” (fjalët e folura).
Impresionimi i parë i shkrimtarit te Beatles erdhi përmes këngës “Eleanor Rigby”, një histori e errët dhe gotike, me tekst që trajton vetminë dhe vdekjen. “Ai, në fakt, e pa nga afër si u formësua kënga, kur unë përdorja herë pas here studion e fjalës së folur që kishim ngritur në bodrumin e banesës së Ringo Starr në Montagu Square,” kujtonte McCartney.
Montagu Square ishte gjithashtu shtëpia e Galerisë dhe Librarisë Indica, një qendër e rëndësishme e kundër-kulturës në atë kohë. Ky vend shiste botime të lëvizjes Beat dhe frekuentohej si nga Beatles, ashtu edhe nga Burroughs. Ai e vlerësonte punën e Beatles; siç thotë McCartney: “Kur dëgjoi versionin përfundimtar të ‘Eleanor Rigby’, ai tha se ishte i impresionuar sa shumë narrativë kisha arritur të fus në tre strofa.”
Ndikimi i Burroughs në muzikë u shtri thellë edhe në vitet 1970. Në vitin 1974, revista Rolling Stone organizoi një intervistë dypalëshe mes dy figurave tronditëse të skenës, ku vetë Burroughs u ul për të biseduar me David Bowie.
Ndërsa intervista nxori në pah një admirim të ndërsjellë të qartë mes artistëve, ajo shkaktoi një obsesion të plotë te Bowie. Pas bisedës, ai lexoi çdo vepër të autorit, filloi të përdorte metodën e tij të prerjes së fjalëve (cut-up) për tekstet e këngëve dhe braktisi strukturat më tipike të rock-ut dhe pop-it që dëgjoheshin në albumet e tij të hershme, në favor të diçkaje shumë më eksperimentale, deri në momentin kur doli albumi Station to Station.
Me albumin e ri erdhi edhe një personazh i ri: The Thin White Duke (Duka i Hollë i Bardhë), një figurë shumë e diskutueshme, e frymëzuar krejtësisht nga Burroughs. Bowie gjeti aty edhe qëndrimin. The Thin White Duke u përshkrua nga vetë Bowie si “një lloj tipi arian, fashist; një romantik i mundshëm pa asnjë emocion, por që shprehte shumë ide të neoromancës”. Duke marrë ndikim nga alter-egoja e ndikuar nga droga e Burroughs-it, William Lee, Bowie duket se përvetësoi ndjeshmërinë poetike të pamatur që karakterizonte të gjithë gjeneratën Beat.
Megjithëse ndikimi i Burroughs-it shtrihej përtej oqeanit, askund nuk ishte më i rëndësishëm se në qytetin e Nju Jorkut. Muzikantët takoheshin me poetët e Beat-it në kohë reale, ndërsa artistë si Lou Reed, Mick Jagger dhe Grateful Dead krijuan miqësi të ngushta me Burroughs-in. Në mes të rrethit artistik të Nju Jorkut ishte edhe një ikonë e re, Patti Smith.
Smith ishte veçanërisht e ndikuar nga Gjeneratai Beat. Në fakt, ishte vetë Allen Ginsberg që i dha shtysën që i duhej për t’u ngjitur në skenë dhe për të performuar poezinë e saj. Duke kombinuar punk-un dhe letërsinë, lirizmi dhe shkrimet e Smith-it gjithmonë janë frymëzuar nga gjërat që ajo kishte lexuar.
Ndikimi i Burroughs-it mbi Smith-in ishte kaq i madh, sa ajo ia kushtoi titullin e këngës kryesore të albumit të saj debutues. Pjesa hyrëse e “Horses” fokusohet te një figurë e quajtur “Johnny”, protagonisti në romanin e Burroughs-it të vitit 1971, “The Wild Boys”. Më vonë në këngë, Smith deklaron, “Go Rimbaud” (dedikuar peotit Françez Artur Rimbaud), duke përdorur këngën për të përmendur dy ndikimet e saj më të mëdha letrare.
Përtej kësaj, ndikimi i Burroughs-it dëgjohet në gjithë veprën e Smith-it, ndërsa ajo ndërton tapicerira të ndërlikuara dhe kaotike në tekstet e saj. Duke kombinuar referenca letrare, vëzhgime nga jeta reale, ngjarje historike dhe metafora, puna e saj është një shembull perfekt i metodës cut-up.
Mbase lidhja më e pazakontë midis Burroughs dhe skenës muzikore vjen përmes grupit pop New Wave, Duran Duran. Ata nuk ishin aq tipikisht ‘cool’ sa Burroughs apo artistët e tjerë që ai frymëzoi. Asokohe, Duran Duran u ngarkua me detyrën për të krijuar muzikën për një film bazuar në romanin e Boroughs vitit 1971, “The Wild Boys”.
Përshtatja kinematografike me metrazh të plotë e romanit The Wild Boys të William S. Burroughs nuk u përfundua kurrë, pasi kishte si qëllim të shërbente vetëm si një demonstrim i vizionit për studiot filmike, dhe jo si një film i realizuar plotësisht. Regjisori Russell Mulcahy krijoi videoklipin muzikor të këngës “The Wild Boys” nga grupi Duran Duran si një “parathënie” për të prezantuar idetë e tij mbi filmin e mundshëm.
Ky projekt ambicioz, që përfshinte një rebelim të dhunshëm të të rinjve kundër qytetërimit perëndimor, rezultoi tepër sfidues dhe potencialisht problematik për studiot kryesore. Pavarësisht kësaj, Duran Duran publikoi këngën. Nuk dihet se çfarë mendonte Burroughs për këngën apo grupin, por ndikimi i tij është i shënuar në historinë e muzikës, pasi videoklipi u bë më i shtrenjti i realizuar deri në atë kohë.
Ndikimi i Burroughs-it zgjati për dekada. Më shumë se 30 vjet pas botimit të romanit të tij të parë, ai ishte ende një pikë kyçe referimi për shumë muzikantë. Në vitin 1990, pasi skena rock e viteve ’70 nuk ishte e njëjtë dhe grunge mori vendin e saj, Burroughs u përfshi me artistë si Kurt Cobain, R.E.M dhe, më së shumti, Sonic Youth.
Në vitin 1990, Burroughs vendosi të publikojë një album të ri me fjalë të folura dhe thirri një kastë yjesh kontribuues dhe bashkëpunëtorësh. Duke dëshmuar se sa i respektuar ishte në botën e muzikës, ai arriti të përfshijë Chris Stein nga Blondie, John Cale nga The Velvet Underground dhe Donald Fagen nga Steely Dan, së bashku me gjithë Sonic Youth. Supergrupi siguroi shoqërimin muzikor për performancat e Burroughs-it në “Dead Radio City”.
Për Thurston Moore, kitaristi nga Sonic Youth Burroughs ishte një Zot. “Ai ishte shumë radikal për mua si shkrimtar”. Duke dashur veçanërisht muzikën dhe fjalën e folur, shtoi, “Ishte shumë kurioze dhe intriguese, dhe ajo që shkruante ishte shumë muzikore.” Në versionin deluxe të albumit të tyre të vitit 1990, “Goo”, grupi ndau ‘Dr Benways House’, një instrumental noise-rock i marrë nga albumi i Burroughs-it.
Burroughs vlerësonte shumë skenën grunge, pasi krijoi gjithashtu një miqësi me Kurt Cobain-in e Nirvanës. Ai ishte idhulli i Cobain-it, dhe rrëfehet se ikona e grunge ishte i dëshpëruar për të bashkëpunuar me të, duke i dërguar letra ku kërkonte një takim ose që Burroughs t’i dërgonte një regjistrim ku lexonte një nga tregimet e tij të rralla nga vitet 1970.
Burroughs pranoi, dhe ajo që pasoi është ndoshta krijimi më eksperimental i karrierës tragjikisht të shkurtër të Cobain-it. Të dy artistët ishin rebelë dhe ndërprerës të zhanreve, kështu që afërsia e tyre ishte e pritshme. Më në fund, në vitin 1993, Cobain shkoi në shtëpinë e Burroughs në Kansas, ku punuan në “The Priest They Called Him”, duke vënë fjalët e Burroughs në muzikë.
Ndikimi i Burroughs ndihet në diskografinë e Nirvanës, pa u shmangur nga imazhet e errëta apo tabu. Por, për Burroughs, Cobain la një përshtypje të trishtë. Pas vdekjes së muzikantit, Thurston Moore, kitaristi i Sonic Youth, pati thënë: “Gjithmonë më kujtohet kur William më fliste për këtë. Ai kishte një shikim në sy si: ‘Pse dikush do ta merrte jetën e tij?’. Ai nuk mund ta kuptonte. Pse do ta bënit atë? Pse do ta shqetësonit energjinë dhe shpirtin tuaj kozmik në atë mënyrë?”
Në vitin 1990, Burroughs hyri në një bashkëpunim të plotë me Tom Waits, kur ky i fundit kompozoi muzikën për shfaqjen “The Black Rider”, të bazuar në librin me të njëjtin titull të Burroughs-it. Kjo përrallë faustiane pati premierën teatrale në Hamburg dhe u prit me lëvdata nga kritika. Në albumin pasues të Tom Waits, “The Black Rider”, Burroughs interpretoi këngën e vjetër xhaz “T’ain’t No Sin”.
Në vitin 1992, producenti i njohur dhe admiruesi i Burroughs-it, Bill Laswell, publikoi albumin konceptual “The Western Lands”. I bazuar në hulumtimet letrare të Burroughs-it mbi konceptin e shtatë shpirtrave të egjiptianëve të lashtë, Laswell krijoi një “kopsht zanor” ekzotik dhe ambiental. Po atë vit, Burroughs bashkëpunoi me grupin industrial Ministry për këngën “Just One Fix”. Mbi ritme të ashpra industriale, Burroughs lexoi një predikim të përshtatshëm për drogën dhe gjithashtu ofroi artin abstrakt të kopertinës “Curse on Drug Hysterics”.
Reperi që e quante veten “beatnik”, Justin Warfield, i bëri një homazh personal Burroughs-it në albumin e tij debutues “My Field Trip to Planet 9”, ku përmendi ndikimin shpirtëror, muzikor dhe tokësor që kishte marrë prej tij. Ky album me elemente filmike, si dhe bashkëpunimi i tij me “Bomb the Bass” në këngën “Bug Powder Dust”, ishin të mbushura me referenca ndaj Burroughs-it dhe epokës Beat.
“Peizazhet ëndërrimtare post-apokaliptike të Burroughs-it gjithashtu depërtuan në artet vizuale, duke frymëzuar artistët e famshëm të grafitit në New York, si Keith Haring dhe Jean-Michel Basquiat. Duke e parë artin si krim dhe krimin si art, thuhet se Burroughs u kap dikur nga një polic metroje me spraj në dorë, duke shkruar “Ah Pook Is Here” – emri i perëndisë majane të të vdekurve – në muret e një stacioni nëntokësor në New York.”
Pas vdekjes së Burroughs-it në vitin 1997, Mercury Records publikoi një koleksion prej katër CD-sh: “The Best of William Burroughs”. Duke ndjekur pothuajse rendin kronologjik, kjo seri fjalësh të folura shtrihej në një periudhë prej dyzet vitesh dhe shërbente si platformë ideale për sulmet e tij të mprehta ndaj luftës së rreme kundër drogës:
Aty mundë të gjinden frazat si “Paraardhësit tanë pionierë do të urinonin në varr nëse do të dinin se testet e urinës përcaktojnë nëse dikush është i aftë për të bërë punën e tij.” Ose: “Doktori më pyet çfarë kuptimi ka flamuri amerikan për mua. I them: zhyteni në heroinë, doktor, dhe do ta thith.” Një “cut-up” i vërtetë në çdo kuptim të fjalës.
Me kredibilitetin e tij në rock’n’roll të vulosur, ishte ndoshta e përshtatshme që paraqitja e tij e fundit publike të ishte një rol cameo në videon promocionale të U2 për këngën “Last Night on Earth”. Imazhi i frikshëm i Burroughs-it duke shtyrë një karrocë supermarket-i me një projektor gjigand brenda, si simboli për një njeri, jeta dhe vepra e të cilit ndriçonin errësirën me dritë.
Burroughs vdiq më 2 gusht 1997, në moshën 83-vjeçare, në Lawrence, Kansas. Ai u varros në parcelën familjare në varrezat Bellefontaine në St. Louis, Missouri, ku mbi gurin përkujtimor shkruhet emri i tij i plotë dhe epitafi: “American Writer” (“Shkrimtar Amerikan”).
Burroughs vazhdon të përmendet si një figurë me ndikim nga shkrimtarët bashkëkohorë të letërsisë fantastiko-shkencore. Si Vala e Re, ashtu edhe -veçanërisht – shkollat kiberpunk të këtij zhanri i janë mirënjohëse atij. Revista britanike e letërsisë fantastiko-shkencore “Interzone” (e lançuar në vitin 1982) mori emrin në nder të veprës së tij./Katror.info
Përgatiti:
