Në Prishtinë u inaugurua Seminari i 43-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, ngjarje që grumbullon rreth 200 studiues vendës dhe ndërkombëtarë, të cilët do të zhvillojnë sesione shkencore dhe kulturore për gjuhën, letërsinë dhe trashëgiminë shqiptare, raporton Ekonomia Online.
Në ceremoninë solemne mori pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili theksoi rëndësinë e gjuhës shqipe si themeli i identitetit kombëtar dhe organizëm i gjallë që ruan kujtesën dhe subjektivitetin njerëzor. Ai nënvizoi se gjuha nuk është vetëm komunikim, por pasuri kulturore dhe bazë e edukimit dhe identitetit kombëtar, duke përmendur mbështetjen për olimpiadën e gjuhës shqipe dhe seminarin e diasporës.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, u shpreh se seminari ka prurje të reja shkencore, ndërsa theksoi rëndësinë historike të gjuhës shqipe, e cila gjatë periudhave të pushtimeve ishte e ndaluar, veçanërisht gjatë viteve ’90 në Kosovë.
Ky seminar konsolidon traditën e studimeve për gjuhën dhe kulturën shqiptare, duke fuqizuar bashkëpunimin shkencor dhe ruajtjen e trashëgimisë kombëtare./Katror.info