Klubi italian, Juventus raportohet se po punon intensivisht për transferimin e sulmuesit kosovar të Lilles, Edon Zhegrova.
Ylli i Kombëtares së Kosovës, shkëlqeu sezonin e kaluar me Lille, madje edhe kundër vetë bardhezinjve në Ligën e Kampionëve, duke fituar respekt të madh në Itali.
26-vjeçari pritet të largohet këtë verë, pasi i ka mbetur vetëm një vit kontratë dhe ka refuzuar rinovimin, duke kërkuar një sfidë të re në karrierë.
Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, torinezët po punojnë me intensitet në ditët e fundit të afatit kalimtar të kësaj verë dhe tashmë kanë zhvilluar një rund të ri bisedimesh me përfaqësuesit e Edon Zhegrovës.
Klubi francez është i vendosur ta shesë lojtarin për të mos përsëritur rastin e Jonathan David, i cili u largua pa përfitim financiar.
Çmimi i vendosur për kartonin e Zhegrovës llogaritet mes 15 dhe 20 milionë eurove, një shifër që shihet si e lartë duke pasur parasysh kontratën që i skadon verën e ardhshme.
Sulmuesi i Dardanëve kërkohet edhe nga klubi i madh francez, Olympique Marseille, që tashmë ka bërë një ofertë konkrete, por pa arritur marrëveshje me Lille.
Ditët vijuese thuhet se do të jenë përcaktuese për të ardhmen e Zhegrovës./Katror.info.