Këtë vit, sezoni kulmor i ecjes malore në Nepal nuk përmbushi pritshmëritë e zakonshme të udhëtarëve dhe alpinistëve. Guidat dhe rekomandimet turistike premtonin qiell të kthjellët gjatë pranverës, pamje madhështore të Himalajeve dhe mot të qëndrueshëm. Megjithatë, realiteti në terren ishte ndryshe: ajri ishte i ndotur, horizonti i mbuluar nga mjegulla, dhe stuhitë e befasishme të shiut krijuan kushte të paqëndrueshme për ecje.
Ky fenomen nuk është më përjashtim. Nga përvëlimet në Australi te lulëzimi i hershëm i qershive në Japoni, klima po i zhvendos kufijtë tradicionalë të motit dhe, me to, edhe planet tona të udhëtimit.
Historikisht, “koha më e mirë për të vizituar” do të thoshte: mot i mirë, më pak shi, dhe mundësi për të përjetuar maksimumin e një destinacioni. Sot, ky koncept po humbet kuptimin.
Udhëzuesit turistikë shpesh bazohen në të dhëna të vjetra dhe nuk përditësohen sipas realitetit aktual. Një guidë për Alpet italiane mund të sugjerojë janarin për ski, por mund të mos përmendë mungesën e borës vitet e fundit, siç raportoi BBC.
Juliana Shrestha, bashkëthemeluese e agjencisë malore Duluwa Outdoors në Nepal, ndjen këtë ndryshim çdo sezon.
“Dikur kishim përgjigje të qarta për klientët – tani nuk mund të garantojmë më asgjë. Motin nuk e dimë më me siguri”, thotë ajo.
Agjencitë nuk duan të trembin klientët me informacione që mund të ndikojnë në rezervime, por rezultatet janë zhgënjyese: udhëtarët vijnë të papërgatitur, përjetojnë diçka tjetër nga ajo që prisnin dhe dëmtohet reputacioni i industrisë.
Për të shmangur të nxehtin dhe turmat, shumë po zhvendosin udhëtimet në sezonet e ndërmjetme. Sipas Intrepid Travel, një nga kompanitë më të mëdha të turizmit të qëndrueshëm, kërkesat për pranverë dhe vjeshtë në Evropë janë rritur ndjeshëm.
Një tjetër trend është zgjerimi i kërkesës për destinacione më të freskëta, si Skandinavia. Madje edhe në Nepal, gjatë sezonit të shirave, ka pasur rritje të udhëtimeve nga vendas që kërkojnë përvoja të reja, si ujëvarat apo ecjet në mjegull.
Platforma si Windy, IQAir, dhe forumet si Reddit apo Travellerspoint po bëhen burime të vlefshme për udhëtarët që duan të informohen drejtpërdrejt nga vendi.
Në të njëjtën kohë, agjencitë serioze po përditësojnë politikat e tyre: listat e paketimit tani përfshijnë rroba për të gjitha stinët; ka më shumë transparencë për sfidat që mund të paraqiten; dhe udhëtarët këshillohen të marrin sigurime të plota.
Sipas Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), edhe nëse ngrohja globale ndalet në 1.5 °C, ndikimet ekstreme të motit do të përkeqësohen. Prandaj, udhëtimi nuk do të kthehet më kurrë në “normalen” e vjetër./AP/Katror.info