Shpejt po na ik vera. Kanë mbetë pak ditë për ngjarje nën qiell të hapun, por pa merak: top lista Monday Marks ka plot propozime se ku me shku, çka me pa, ku me kcy e çka me veshë këtë javë!
Ky fundgusht ka ngjarje që s’bon me i humbë nëse i keni kry pushimet, prej Prishtinës e deri në Tetovë. Me 27 gusht osht Roja e Natës në Muzeun e Artit Amerikan: film arkivor, histori MoMA-je dhe art modern me m’su pak për artin e mas Luftës së Dytë Botnore. Me 30 gusht, ZONE vazhdon me festu 15-vjetorin me tre DJ, groove, techno, piano live dhe kcim deri n’sabah. Po atë ditë hapet edhe Pema e Jetëve, memorial artistik për temën pikëlluese të personave të zhdukun.
Ulpiana Fest sjell art, gastronomi dhe histori antike për fëmijë dhe të rritun. NET-RRJET 13 në Rezidencën 17 sjell punëtori kreative me materiale, ushqim dhe pijë të përfshirë. Mandej me 26 gusht po festohet Dita e Pavarësisë së Ukrainës në Europe House me ekspozitë, film dhe diskutim.
Plus, mos harroni se po hapet hapsina Kometa nga QIKA, vend ku munesh me kcy, këndu dhe me mbështetë bibliotekën feministe. Dhe për ata që po dojnë hala kreativitet n’jetë, keni punëtoritë e upcycling në Tetovë, Prishtinë e Shkup. Krejt n’fund, po ju rekomandojmë pak modë neopunk nga Leonita Muja Studio për look që e kap syrin kudo n’qoshe të errëta të shehrit.
Pra edhe një Monday Marks me art, muzikë, histori, modë. E na shkum pak në pushim se nga e premtja e 29 gushtit po fillojmë me sezonin 3 të podkastit Suzanne. YEEAH!
Me këqyr, lexu e diskutu: Roja e Natës në Muzeun e Artit Amerikan / CCA Stacion, Prishtinë

Më 27 gusht, n’ora 21:00, në Prishtina Museum of American Art që operon në kuadër të qendrës së artit Stacion, po organizohet një “natë vigjile me projeksion filmi dhe diskutim mbi trashëgiminë franceze të programit ndërkombëtar të MoMA-s.” Eventi osht i fokusum te ekspozitat që mas Luftës së Dytë Botnore kanë pru në Europë emra si Rothko, O’Keeffe dhe Pollock, tu e ndryshu përgjithmonë peizazhin global të artit modern. Ka m’u shfaqë filmi arkivor Expositions de Paris – 50 years of art in the United States (1955), i shoqnum me një hymje historike mbi lidhjet mes Parisit dhe vizionit të hershëm të muzeut të famshëm MoMA. Super event për artistë, studiues dhe dashamirë të artit me mësu për mënyrën qysh modernizmi amerikan u eksportu dhe u prit në Europë.
Me kcy e me festu: 15-vjetori i Zone – “From smiles to heartbeats” / Zone Club, Prishtinë

Më 30 gusht, festimet e ditëlindjës së 15-të të ZONE po vazhdojnë: tash me tre DJ që dijnë qysh me dhezë energjinë e me mbushë natën me ritëm: And Hazel sjell do house me soul dhe groove të thellë, Lola Bozzano lun me techno t’përzime me melodi dhe piano live, ndërsa dosti jonë Noki nga Kosova osht i njoftun me vajbin ku publiku ndihet si familje. Setet e tyre janë një udhëtim i mirë për vikend: ngadalë fillojnë, ama kur shpërthejnë nuk të lojnë mu ulë mo.
Me kujtu dhe mos me harru: Inaugurimi i Memorialit “Pema e Jetëve” / Bulevardi Xhorxh Bush, Prishtinë

Më 30 gusht 2025, ora 18:00, në Platon mbi parkingun nëntokësor pranë Sheshit Xhorxh Bush, Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë ju fton në inaugurimin e përmendores publike “Pema e Jetëve”. Në shikim t’parë ky osht një trung i thjeshtë peme, i premë por diqysh hala në kambë, me rrajt e ekspozume, memoriali mishnon pezullimin e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë 1998–2000. Konceptume nga Dea Gjinovci dhe Armand de Benoist de Gentissart, “Pema e Jetëve” nuk osht një simbol i përfundimit, por i ndërpremjes: një plagë e hapun në vazhdimësinë e jetës dhe të përkatësisë. Nuk osht ngjarje me festu, por prapë e randësishme për me kujtu e mos me harru.
Me përjetu: Ulpiana Fest / Parku arkeologjik Ulpiana, Graçanicë

Ky festival osht koxha i veçantë në skenën kulturore të Kosovës: i pari i këtij lloji, ai synon me zgju kureshtjen dhe me nxitë vetëdijen për randësinë e trashëgimisë kulturore, me fokus të veçantë në lokalitetin arkeologjik Ulpiana. Përmes një qasjeje që bashkon shkencën dhe artin, Ulpiana Fest na fton me kuptu më shumë rreth jetës së banorëve të Dardanisë antike nëpërmjet një programi me punëtori të ndryshme arti, gastronomi, shfaqje teatrale dhe film, sporte tradicionale. Mbahet me 30 dhe 31 gusht dhe osht ngjarje super sidomos për fëmijë.
M’u inspiru: Edicioni 13 i NET-RRJET / Rezidenca 17, Prishtinë

A keni qef me përjetu një atmosferë kreative, m’i shprehë idetë e tua dhe mu frymëzu nga artistë të ndryshëm? Atëherë kjo punëtori shumëditore osht bash për juve. Organizata Expoart.40 e ka marr përsipër krejt organizimin, te lokacioni i Rezidencës 17 në Tokbashqe dhe kujdesen për gjithçka: materialet e punës, ushqimi dhe pijet, ju veç bireni kreativitetin e juj. Punëtoria osht nga 25–29 Gusht 2025, në Rezidencën 17. Masnej ka edhe ekspozitë. Regjistrohu këtu: https://forms.gle/3scETgWyvX8kFziY6.
Me festu dhe me kujtu: Shënimi i Ditës së Pavarësisë së Ukrainës në Kosovë / Europe House, Pristinë

Europe House Kosovo dhe Asociacioni Ukrainas i Kosovës “Bridges of Friendship” ju ftojnë në një mbramje të veçantë të artit, filmit dhe diskutimit rreth Ukrainës, për me shënu Ditën e Pavarësisë së Ukrainës. Ngjarja ka mu mbajt më 26 Gusht 2025, në Europe House Prishtina, prej ora 18:00.
Programi përfshin një ekspozitë të veprave të artistëve ukrainas dhe kosovarë, si dhe shfaqjen e filmit dokumentar Winter on Fire: Ukraine’s Fight for Freedom, pasume nga një diskutim i hapun. Një festë kreative e randësishme për me reflektu mbi shpresën e vazhdueshme për paqe n’Ukrainë.
Me festu: Hapja e hapësinës Kometa / Lagjja e artistave, Prishtinë

Organizata QIKA ka kohë që ka andërru dhe punu për me kriju një hapsinë të re, të hapun për krejt komunitetin. Një vend ku mundeni m’u taku, me kriju lidhje të reja, mu frymëzu dhe m’u aktivizu. QIKA ju fton me marr shoqninë dhe për me festu hapjen e Kometës, ku pritet mu mledhë, me punu, këndu, kcy, dhe angazhupër një botë ma të drejtë. E nëse dëshiron me mbështetë bibliotekën e parë feministe në Kosovë, sjell një libër me vete. Ngjarja mbahet këtë të mërkurë me 27 gusht, në orën 19:00, te Lagjja e Artistëve në Ulpianë.
Me mësu: Punëtori kreative për upcycling të modës / Tetovë

Qe një ftesë e hapun për super punëtori nga shoqja jonë Skytja dhe Studio userfromxk dhe Factory girl. Punëtoria osht për të rinjtë nga Tetova, Prishtina dhe Shkupi me marrë pjesë në një seri workshopesh kreative dhe falas, të dedikume për upcycling – transformimin e veshjeve dhe aksesorëve të vjetër në copa unike, të guximshme dhe me kuptim. Ngjarja e parë mbahet në Tetovë me 28 dhe 29 gusht, masnej në Prishtinë e Shkup. Organizatorët po thojnë se këto punëtori janë për krejt ata që dojnë me shprehë veten, me mësu dhe me eksperimentu, plus nuk kërkohet përvojë e maparshme. Punëtoritë jon për pjesëmarrësit e moshës 18–30 vjeç, dy ditë nga 6 orë për qytet, me materiale të sigurume nga vetë organizatorët dhe pjesëmarrje falas.
Me vesh: Teshat nga studio Leonita Muja / Prishtinë

Qe pak modë neopunk urbane ballkanike nga një studio e veçantë e Leonita Mujës. Ka tesha edhe për femna edhe për mashkuj, me ilustrime kreative, premje t’mira, look atraktiv, t’përshtatshëm si për festivale ashtu edhe për ecje me ritëm të sigurtë, krytë nalt edhe pamje të rrezikshme, n’rrugët e qyteteve tona. Ka edhe aksesorë, lëkura përdoret me bollëk, ama keni edhe sende ma delikate, kjut dhe të lezetshme si bonbona për sy.
Marrë nga Suzanne Podcast.