Kur flet për Visar Osmanin, drejtorin e shkollës fillore “Emin Duraku” në Prishtinë, flet për një njeri që ka ditur të shndërrojë kujdesin për fëmijët dhe respektin për arsimin në një formë të pastër të aktivizmit qytetar.
Falë angazhimit të tij, shkolla është bërë një shembull se si mobilizimi i prindërve, organizatave, institucioneve dhe donatorëve të ndryshëm mund të sjellë ndryshime të prekshme: nga digjitalizimi i klasave dhe rinovimi i ambienteve, te krijimi i hapësirave të sigurta e funksionale për nxënësit, shkruan Katror.info.
Rrugëtimi i Osmanit është i veçantë. Ai ka qenë dikur nxënës në këtë shkollë, më pas mësimdhënës, e sot drejton institucionin më të vjetër në kryeqytet. Kjo lidhje i jep një perspektivë të rrallë për ta njohur nga brenda ambientin, historinë dhe sfidat.
“Unë një kohë kam, jam marrë me studime, kam vazhdu intensivisht jam marrë edhe me muzikë, edhe mirrem me muzikë, po diqysh kur u bënë fëmija e mi, u rritën dhe erdhën në institucion këtu, babi më ka punu këtu, është pensionu prej kësaj shkolle, nëna gjithashtu edhe ke një situatë jo e mirë e shkollës, për shkak të imazhit, ndodhën disa gjana jo të mira, edhe sikur kur të thirrë toka, kur i lyp njerëzit e vet, njerëzit e kohës, edhe mandej u dasht me lanë shumë çka prej jetës, në atë kuptim me angazhime tjera që na kanë sjellë edhe të mira materiale, u desht me i lanë anash edhe me u marrë me shkolle, sepse vërtet me asnjë çmim nuk e ndërroj dhe nuk jam pishman asnjë minutë dhe shpesh më duket që je nuk jam t’u e dhënë maksimumin sa e meriton kjo shkollë” – rrëfen ai.
Ai reflekton mbi katër vitet e kaluara, mbi sfidat dhe sukseset, por mbi të gjitha, mbi rëndësinë që ka krijimi i një ambienti ku fëmijët ndihen të vlefshëm, të respektuar dhe të motivuar për të mësuar.
“Me shumë mund, me shumë sakrificë, me shumë angazhime me kolegët e mi, me stafin e mrekullueshëm kemi arritur një shkollë me ngritë hala ma lart, aty ku mendoj që unë e ka vendin, sepse është shkolla më e vjetër në Komunë të Prishtinës, është shkolla për momentin e para në Prishtinë që i ka hy reformave për t’ju hapë rrugë mësimit tërë-ditor në Komunë të Prishtinës, falë performancës së mirë dhe falë prirjes së reformave, shkolla Emin Duraku domethënë shkolla model, shkollës Pjetër Bogdani dhe shkollës Zenel Hajdini i është mundësu me hy mësim tërë-ditor për shkak të disponimit dhe për shkak të gatishmërisë” – tha ai.
Nën drejtimin e tij, shkolla ka marrë një tjetër frymë: kabinetet janë pajisur me teknologji të reja, ambientet janë përmirësuar dhe është krijuar një kulturë bashkëpunimi ndërmjet stafit, nxënësve dhe prindërve.
“Kemi fillu me procesin e digjitalizimit të shkollës, që i ka mungu institucionit, mandej kemi fillu me kuzhinën shkollore, kemi ndërtu kuzhinën se nxënësit ushqehen brenda në shkollë, pastaj kemi dalë jashtë, i kemi rregullu dy parqe, kemi rregullu komplet oborrin e shkollës, së fundmi një investim i madh që ka qenë nga Komuna e Prishtinës ka qenë rregullimi i ndriçimit modern në oborr të shkollës. Vitin e kalum ka qenë pajisja e kabineteve me smart boards (tabela digjitale), sivjet në fund të muajit shtator janë pajisë të gjitha klasat. Ne kemi pasë qysh para katër viteve televizor dhe projektor që s’e ka pasë asnjë shkollë. Këtë vit prej muajit mars deri para një jave kam arrit përmbi 20 kondicionerë me i vendosë në çdo klasë, kjo me donatorë është bë” – u shpreh ai.
E duke ofruar kushte te mira, ai ka arritur që të rrisë edhe sigurinë.
“Problemet janë zero në fushën e sigurisë, fëmijët i kanë kushtet për gjithçka, jeta shkollore është jashtëzakonisht dinamike, sepse ka shumë aktivitete dhe kjo i bën fëmijët me qenë më të qetë dhe më të suksesshëm, domethënë pas një periudhe bajagi të gjatë, kemi arritë shkollën tonë me rikthy në dhjetëshën e parë të shkollave në gara komunale” tha z.Osmani.
Në këtë periudhë, ai ka ndërmarrë reforma që synojnë modernizimin e mësimdhënies dhe krijimin e një ambienti arsimor frymëzues, përmes bashkëpunimit me përkrahës të shumtë.
“Kam miq, kam shokë, e kam grupin e miqve të shkollës, kam një rreth të gjanë të njerëzve që i njoh, qoftë familjar, qoftë fëmijë që e kanë ndihmu institucionin në çdo formë, është ai ekipi zhvillimor i shkollës, i cili ka ba revolucion shkollën pesë vite, gjashtë vite ka qenë shkollë kampione. U ndihmoj shumë projekteve të GIZ-it gjerman dhe jo rastësisht në mesin e krejt shkollave të Kosovës, janë kanë 20 shkolla, në mesin e njëzetave ka qenë shkolla jonë, kjo u bë falë performancës dhe punës ekipore” – u shpreh ai.
“I kemi diku 12-13 marrëveshje e memorandume bashkëpunimi, me OJQ të ndryshme, kombëtare dhe vendore dhe lloj-lloj kategorie vjen në institucionin tonë dhe ata e kanë vështirë veç deri herën e parë, mandej kur njoftohen me punën, me të arriturat e vazhdojnë hala bashkëpunimin me projekte tjera, sepse ndahen mirë, jemi të përgjegjshëm në zbatimin tyre” – vazhdoi drejtori.
Puna e tij e palodhshme ka dhënë fryt – gjithnjë e më shumë prindër e kërkojnë këtë shkollë për fëmijët e tyre, duke e parë si një shembull të një drejtimi të përgjegjshëm dhe modern.
“Fatkeqësisht, po them për vete, po fatmirësisht për shkollën, ka katër vite që s’e kam shfrytëzu asnjë ditë pushim vjetor, sidomos këtë vit kam qenë tërë kohën i angazhum me renovime. Ky është një input që tregon se këto rezultate janë pa edhe prej prindërve që s’janë pjesë e institucioneve dhe kanë vendos m’i pru fëmijët këtu, d.m.th, vetëm për dy ditë janë 13 kërkesa që kanë ardhë dhe kërkojnë me ngulm me qenë nxënës të kësaj shkolle” – tregoi ai.
Osmani ruan një marrëdhënie të afërt me nxënësit, duke qenë një mbështetës i përditshëm i tyre.
“E ndiej, kur t’i shoh ambientin e mirë, kur t’i shoh gjanat që funksionojnë mirë dhe kur t’i shoh fëmijët e ruajnë shkollën shumë, e dojnë, kanë fillu me korrë rezultate në çdo aspekt, në çdo fushë, sepse kur ki kushte, kur ki ambient të mirë të punës, krijohet njëfarë vullneti dhe nuk mungojnë rezultatet. Me thanë të drejtën, unë i du shumë, më dojnë shumë, pak në raste të caktume, ndoshta e kam njëfarë qëndrimi që ka tingëllu pak më i ashpër drejtori, por luftën e bëjmë veç për ata me u ndi mirë” – u shpreh në fund.
Edhe sot, vizioni i Visar Osmanit mbetet i qartë: ta shndërrojë këtë institucion në një model për të gjithë sistemin arsimor të Kosovës./Katror.info.