Ashtu siç zgjedhjet duhet të jenë plotësisht të lira dhe demokratike, i tillë duhet të jetë edhe mbulimi i tyre nga mediat. Gjatë raportimit, gazetarët nuk duhet të cenojnë etikën profesionale përmes shtrembërimit të fakteve, por duhet të ofrojnë informacione të plota dhe të sakta.
Kështu u tha, ndër të tjera, në punëtorinë “Luftimi i lajmeve të rreme dhe dezinformimit: Etika në media gjatë fushatave zgjedhore”, organizuar nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë.
Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Imer Mushkolaj, theksoi se është e rëndësishme që fushatat zgjedhore të mos karakterizohen nga dezinformimi dhe gjuha e urrejtjes.
“Asnjëherë nuk është tepër të flitet sidomos në mesin e profesionistëve për dezinformimin dhe luftën kundër tij, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore. Është e rëndësishme që edhe njëherë t’i përkujtojmë obligimet që kanë mediat dhe gazetarët, të bashkëbisedojmë se si të ecim përpara, në mënyrë që fushata zgjedhore të mos karakterizohet nga dezinformimi dhe gjuha e urrejtjes, por të jetë një fushatë që respekton rregullat e etikës,” tha Mushkolaj.
Ndërsa, drejtoresha e Departamentit të Demokratizimit në Misionin e OSBE-së në Kosovë, Pascale Roussy, deklaroi se misioni mbetet i përkushtuar për të ofruar mbështetje në mbulimin profesional dhe të pavarur të procesit zgjedhor.
“Ne, si organizatë dhe si mision, kemi shprehur përsëri shqetësimin tonë për përhapjen e lajmeve të rreme dhe dezinformimit. Përballë këtyre sfidave, ne mbështetemi shumë te profesionistët e mediave për të ofruar informacion të saktë, duke ruajtur etikën profesionale. OSBE-ja në Kosovë mbetet fuqimisht e përkushtuar në promovimin e lirisë së mediave, gazetarisë profesionale dhe raportimit etik, veçanërisht gjatë zgjedhjeve,” tha ajo.
Edhe kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, bëri thirrje për pavarësi të mediave.
“Në zgjedhjet e fundit kemi pasur raste të rrezikimit të sigurisë fizike të gazetarëve dhe është me rëndësi që partitë politike të lejojnë qasje të barabartë për mediat. Thirrja për mediat është që të mos bëhen palë, ndërsa për qytetarët është e rëndësishme që vendimet e tyre t’i marrin duke u informuar në mënyrë të drejtë,” theksoi Rexha.
Kryetarja e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Brikenda Rexhepi, dhe kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Besnik Berisha, apeluan gjithashtu për raportim të saktë, të paanshëm dhe në përputhje me standardet profesionale të gazetarisë.
Në përmbyllje të punëtorisë, u prezantua një udhëzues për raportim etik gjatë zgjedhjeve, në të cilin theksohet se mediat duhet të informojnë publikun në mënyrë gjithëpërfshirëse për procesin zgjedhor, duke trajtuar subjektet politike në mënyrë të barabartë./RTK/Katror.info