Ndërsa inteligjenca artificiale (AI) merr përsipër gjithnjë e më shumë detyra rutinë, vlera e ekipeve do të matet gjithnjë e më shumë me cilësitë njerëzore: empatinë, vetëdijen dhe inteligjencën emocionale. Nuk mjafton që këto aftësi t’i ketë vetëm individi; edhe ekipi në tërësi duhet të zhvillojë norma që nxisin bashkëpunimin, besimin dhe respektin e ndërsjellë, shkruan BM.
Rekrutimi i kujdesshëm është hapi i parë. Përtej aftësive teknike, kompanitë duhet të kërkojnë tek kandidatët edhe potencialin për bashkëpunim, fleksibilitet dhe empati. AI mund të ndihmojë në këtë proces duke ofruar mjete që analizojnë komunikimin, tonin dhe aftësitë ndërpersonale.
Monitorimi i moralit të ekipit është po aq i rëndësishëm. Përtej anketave tradicionale, mjetet me AI mund të analizojnë komunikimin e përditshëm dhe takimet për të zbuluar tendenca pozitive ose shenja të hershme tensioni. Kjo u jep liderëve mundësinë të ndërhyjnë në kohë, duke ruajtur klimën e shëndetshme të punës.
Automatizimi i punëve rutinë i lejon ekipet të fokusohen tek lidhjet njerëzore. Kur detyrat teknike dhe të përsëritura delegohen tek teknologjia, krijohet më shumë hapësirë për biseda kuptimplota, ndërtim marrëdhëniesh dhe aktivitete që rrisin ndjenjën e përkatësisë.
Në fund të ditës, AI nuk duhet parë vetëm si një mjet për eficiencë, por si një partner që i ndihmon njerëzit të jenë më njerëzorë. Ekipet me inteligjencë emocionale, të mbështetura nga teknologjia, janë modeli i së ardhmes së punës. /Katror.info