Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim koordinatorin e ri për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Stephen O’Malley.
Në njoftimin e Qeverisë thuhet se Kurti ka vlerësuar lart bashkëpunimin e vazhdueshëm me ekipin e OKB-së në Kosovë, duke e cilësuar atë si partner të besueshëm në forcimin e qeverisjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
“Gjatë takimit u theksuan disa prej bashkëpunimeve më të suksesshme në luftën kundër korrupsionit, edukimin e hershëm, trashëgiminë kulturore e banimin social. U ritheksua gatishmëria e qeverisë për të thelluar partneritetin me UNKT në drejtim të: zhvillimit të kapitalit njerëzor përmes arsimit gjithëpërfshirës, shëndetësisë cilësore, mbrojtjes sociale, sundimit të ligjit e qeverisjes së mirë”, thuhet në njoftim.
Kryeministri Kurti ka shprehur bindjen se udhëheqja e O’Malley do të avancojë bashkëpunimin ekzistues në një nivel edhe më të lartë gjatë ciklit të ri të planifikimit 2026–2030, duke u mbështetur në parimet e gjithëpërfshirjes, barazisë gjinore dhe të drejtave të njeriut.