Lajmet nuk kanë qenë kurrë më të qasshme – por për disa, ky është pikërisht problemi. Të përmbytur me informacione dhe përditësime të pandërprera, gjithnjë e më shumë njerëz në mbarë botën po i shmangen lajmeve, shkruan The Guardian, përcjell Katror.info.
Arsyet ndryshojnë: për disa është thjesht vëllimi i madh i lajmeve, për të tjerë barra emocionale nga titujt negativë ose mosbesimi ndaj vetë medias. Në forume online të kushtuara vetëdijesimit dhe shëndetit mendor, njerëzit diskutojnë mënyra për t’u tërhequr, nga vendosja e kufijve deri te ndërprerja e plotë e ndjekjes së lajmeve.
“Tani që nuk shikoj lajmet, thjesht nuk kam më atë ankth. Nuk kam frikë,” tha Mardette Burr, një pensioniste nga Arizona, e cila tregon se ka rreth tetë vjet që nuk i përcjell lajmet. “Ka pasur raste kur zgjohesha në 2 ose 3 të mëngjesit e shqetësuar për diçka që ndodhte në botë, për të cilën nuk kisha pothuajse asnjë kontroll.”
Ajo nuk është e vetme. Në shkallë globale, shmangia e lajmeve është në nivel rekord, sipas një sondazhi vjetor të Institutit Reuters për Studimin e Gazetarisë (Reuters Institute for the Study of Journalism), publikuar në qershor. Këtë vit, 40% e të anketuarve, në pothuajse 50 vende, thanë se ndonjëherë ose shpesh i shmangen lajmeve – në rritje nga 29% në vitin 2017 dhe shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë.
Numri ishte edhe më i lartë në SHBA, me 42%, dhe në Mbretërinë e Bashkuar, me 46%. Në vende të ndryshme, arsyeja kryesore që njerëzit dhanë për shmangien e qëllimshme të lajmeve ishte ndikimi negativ në gjendjen e tyre shpirtërore. Të anketuarit gjithashtu thanë se ishin lodhur nga sasitë e mëdha të lajmeve, se kishte shumë mbulim për luftëra e konflikte dhe se nuk kishin çfarë të bënin me gjithë atë informacion.
Julian Burrett, një profesionist britanik në marketing, tha se që nga pandemia është shkëputur qëllimisht nga lajmet, pasi ndihej pothuajse i varur nga përditësimet e vazhdueshme negative. Ai ka fshirë shumicën e aplikacioneve të medias nga telefoni dhe shmang edicionet televizive. Vitin e kaluar, madje nisi edhe një komunitet të vogël në Reddit, r/newsavoidance, për të “shqyrtuar përparësitë e të metat, këshillat, truket dhe mjetet e shmangies së lajmeve”.
Të tjerë që folën për Guardian përshkruan qasje të ndryshme. Njëri tha se i sheh lajmet një herë në javë për të qëndruar i informuar pa u mbingarkuar. Një tjetër tha se prej vitesh i ka shmangur lajmet, duke përmendur ndikimin e tyre në gjendjen shpirtërore dhe një mosbesim më të gjerë ndaj shtypit. Një burrë nga Maryland tha se ndjehej “i zemëruar” nga zhvillimet e fundit politike dhe përpiqet të vendosë kufij duke parë vetëm titujt.
Studimet sugjerojnë se ekspozimi i shtuar ndaj lajmeve – veçanërisht përmes televizionit dhe rrjeteve sociale, e sidomos mbulimit të ngjarjeve tragjike ose shqetësuese – mund të rëndojë shëndetin mendor.
Prej dekadash, Roxane Cohen Silver ka studiuar pasojat e konsumimit të medias mbi krizat, nga 11 Shtatori dhe pandemia e Covid-19, deri te fatkeqësitë klimatike dhe të shtënat masive.
“Sa më shumë ekspozim të kenë njerëzit, aq më të mëdha janë shenjat e shqetësimit që raportojnë për shëndetin e tyre mendor. Ankth më i madh, depresion më i madh, simptoma më të theksuara të stresit post-traumatik, simptoma të stresit akut,” tha Silver, profesoreshë e psikologjisë, mjekësisë dhe shëndetit publik në Universitetin e Kalifornisë, Irvine.
Në vitet e fundit, kërkimet e saj kanë treguar se polarizimi politik është një burim i madh stresi për njerëzit në SHBA. Po ashtu, shqetësimet politike kryesuan listën e sondazhit “Stresi në Amerikë” të Shoqatës Amerikane të Psikologjisë vitin e kaluar, me ekonominë dhe përhapjen e lajmeve të rreme që gjithashtu renditeshin lart.
Me rritjen e përdorimit të telefonave të mençur dhe rrjeteve sociale, mundësitë për kontakt me përmbajtje shqetësuese kanë shpërthyer, vuri në dukje Silver.
“Ekziston thjesht një mundësi e bollshme për të qenë i ekspozuar ndaj lajmeve gjatë gjithë kohës, qoftë përmes njoftimeve në telefonat e njerëzve, qoftë duke konsumuar lajme në shumë mënyra njëkohësisht,” tha ajo.
Shikimi i imazheve të rënda, në veçanti, lidhet me shqetësime psikologjike – një problem në një epokë kur imazhe tronditëse të tragjedive qarkullojnë lirshëm, jashtë kontrollit të redaksive.
Një sasi gjithnjë e më e madhe këshillash online promovon mënyra më të shëndetshme për të konsumuar lajme. Shumë prej tyre fokusohen në vendosjen e kufijve në mënyrë që njerëzit të kërkojnë informacion me vetëdije kur janë gati për të, në vend që t’u vijë si rrjedhë e pandërprerë. Kjo mund të përfshijë regjistrimin për buletine ose përmbledhje nga burime të besueshme, heqjen e abonimit për lajmet e fundit dhe kufizimin e rrjeteve sociale.
“Njerëzit mund të qëndrojnë të informuar pa ‘doomscrolling’,” tha Silver. Duke zbatuar në jetën e saj ato që ka mësuar nga kërkimet, ajo lexon lajmet online, por shmang videot, televizionin dhe rrjetet sociale.
“Nuk shoh asnjë përfitim psikologjik apo fizik nga konsumimi i atyre lloj imazhesh,” tha ajo. “Kështu që, nëse po lexoj një artikull dhe aty ka video, nuk e hap.”
Ajo sugjeron kufizimin e kohës për të lexuar lajme, në vend që të qëndrosh vazhdimisht i zhytur në to, duke theksuar se është ndihmesë e madhe kur njerëzit ndihen se kanë kontroll mbi sasinë e ekspozimit.
Benjamin Toff, drejtor i Qendrës së Gazetarisë të Minnesotës në Universitetin e Minnesotës, ka studiuar këtë trend në librin e tij Avoiding the News. Ai bën një dallim të qartë mes atyre që i shmangen lajmeve në mënyrë të vazhdueshme dhe atyre që thjesht e kufizojnë konsumin – metoda e këtyre të fundit, sipas tij, është “krejtësisht e shëndetshme”.
“Ne jetojmë në një botë ku mund të hysh në lajme 24/7 dhe të përmbytesh me informacion në çdo kohë. Por kjo nuk do të thotë se duhet ta bësh këtë,” tha ai.
Ajo që e shqetëson atë dhe bashkautorët është kur shmangia nga lajmet kthehet në një cikël që thellon ndarjet shoqërore, duke bërë që disa grupe të kenë më pak gjasa të marrin pjesë në jetën politike.
“Sa më shumë të shkëputesh e të distancohesh nga lajmet, aq më e vështirë bëhet të kuptosh se çfarë po ndodh në një ngjarje të caktuar,” shpjegoi ai.
Autorët vunë re se shmangia e vazhdueshme e lajmeve është më e përhapur tek të rinjtë, gratë dhe shtresat me gjendje ekonomike më të ulët.
“Nëse besoni siç besojmë ne, që parimisht, duam që njerëzit të kenë të njëjtat mundësi për të marrë pjesë politikisht, për të votuar, për të qenë zëra në çështjet politike që kanë rëndësi, atëherë mendojmë se është problem që njerëzit po shkëputen nga lajmet,” tha Toff.
Burimi: The Guardian
Përktheu dhe përshtati: Katror.info