Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur sot në vizitë zyrtare Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës (GKA), Gjeneral Major Stephen Osborn.
Gjatë takimit, Gjeneral Jashari e informoi homologun amerikan mbi aktivitetet aktuale të FSK-së, procesin e përgatitjes për validim, si dhe mbi mësimet e nxjerra nga trajnimi i përbashkët i realizuar në Qendrën e Trajnimit dhe Komandimit të Përbashkët (JRTC). Nga ana e tij, Gjeneral Major Osborn shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e deritanishëm dhe për planifikimin e aktiviteteve të ardhshme.
Të dy gjeneralët vlerësuan lartë bashkëpunimin e suksesshëm ndërmjet FSK-së dhe GKA-së, i cili ka avancuar së fundmi në një nivel të ri, duke përfshirë planifikimin e përbashkët për një periudhë trevjeçare. Gjeneral Osborn falënderoi Gjeneral Jasharin dhe personelin e FSK-së për pritjen e ngrohtë dhe riafirmoi mbështetjen e palëkundur në zhvillimin e kapaciteteve operacionale dhe në arritjen e objektivave strategjike të Forcës.
Sipas agjendës së përbashkët, Gjenerallejtënant Jashari dhe Gjeneral Major Osborn do të marrin pjesë në konferencën e Kartës së Adriatikut A-5, e cila do të zhvillohet në Tiranë./Katror.info