Regjisori dhe skenaristi shqiptar Neritan Zinxhiria ka rrëmbyer sërish çmimin më të lartë në Festivalin e 48-të Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër të Dramës (DISFF) në Greqi, me filmin e tij të fundit “NOI” (Bota Jonë).
Ky është Dionisi i Artë i dytë për Zinxhirian, pas fitores në vitin 2012 me “Kamomil”.
Filmi “NOI” flet për komunitetin vllah në Meçovë dhe trajton marrëdhënien e njeriut me natyrën dhe kafshët – në veçanti me kuajt, të cilët në këtë botë kthehen në reflektim të ndjeshmërisë njerëzore.
Filmi është xhiruar me banorë të komunitetit vendas dhe frymëzohet nga ëndrra, kujtesa kolektive dhe tradita gojore.
Përveç çmimit prestigjioz, “NOI” siguron automatikisht një vend në listën e nominimeve për Oscar në kategorinë “Filmi më i Mirë i Shkurtër”, si dhe një shpërblim prej 10 mijë euro, i ofruar nga Finos Film dhe televizioni kombëtar grek ERT.
Festivali përfshiu 146 filma nga 49 vende./Albanian Post/Katror.info.