Sopranoja e mirënjohur, Ermonela Jaho këtë shtator vjen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit me një koncert gala.
“Kur ndjenjat marrin zë” do të sjellë për publikun kryevepra botërore. Me interpretimin e sopranos Ermonela Jaho, nën dirigjimin e maestro Fabrizio Maria Carminati, me korin dhe orkestrën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, publiku do të përjetojë një udhëtim të rrallë muzikor.
Sopranoja shqiptare me një aktivitet të suksesshëm ndërkombëtar shprehet ndër të tjera se koncerti gala vjen me titullin “Kur ndjenjat marrin zë”, sepse është zëri i shpirtit ai që na lidh të gjithëve.
“Ky është një koncert tepër i veçantë. Unë jam shumë e lumtur që rikthehem në shtëpinë time. E kemi titulluar ‘Kur ndjenjat marrin zë’, pikërisht për të folur me gjuhën e shpirtit, për të sjellë një repertor pak ndryshe, padiskutim me orkestrën e TKOB, dhe të korit”, tha sopranoja.
“Duke falënderuar Ermonelën për gatishmërinë, mbështetjen që i bën teatrit, por edhe të gjithë publikut dhe artdashësit shqiptarë. Është një koncert i mirëpritur”, shprehet Aulon Naçi, Drejtor i TKOB-së.
Dirigjent i korit në këtë koncert do të jetë Dritan Lumshi. Koncerti “Kur ndjenjat marrin zë”, që do të jetë mbrëmjen e datës 17 shtator, shënon edhe rikthimin e sopranos Jaho në TKOB një vit pas koncertit të fundit./rtsh/Katror.info