Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) në bashkëpunim me Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS) kanë organizuar tryezën e rrumbullakët “Fuqia e këndit të raportimit”, ku është folur mbi rezultatet e projektit trevjeçar “Shërbime shëndetësore të integruara”, raporton Ekonomia Online.
Në këtë tryezë u theksua ndikimi i gazetarisë në fuqizimin e pacientit dhe ngritjen e vetëdijes publike mbi kujdesin shëndetësor.
Ekspertja e Lartë për Avokim nga IHS, Linda Baleta, tha se bashkëpunimi me AGK ka sjellë përfitime konkrete në rritjen e cilësisë së raportimit shëndetësor.
Ajo tha se fokusi i trajnimeve ka qenë tek pacienti jo si diagnozë, jo si viktimë, jo si dikush që nuk ka fuqi, por pacienti i cili e merr në dorë rrugëtimin e vet shëndetësor.
“Projekti është i fokusuar në trajnim të gazetarëve të cilët e mbulojnë sektorin e shëndetësisë. Raportimet që janë bërë në kuadër të këtyre trajnimeve dhe bashkëpunimeve me AGK-në, unë do t’i quaja gazetari jo vetëm informuese por edhe edukuese. Sepse kanë qenë të gjitha storiet që kanë edukuar publikun e gjerë se çka janë sëmundjet kronike jo ngjitëse, çfarë po bëhet në Kosovë për avancimin më të mirë të sistemit shëndetësor dhe sidomos bashkëpunimi i këtij viti ka pasur një kënd krejt të ndryshëm që shikohet edhe në titullin e aktivitetit. Fokusi ka qenë tek pacienti, pacienti jo si diagnozë, pacienti jo si viktimë, pacienti jo si dikush që nuk ka fuqi, por pacienti i cili e merr në dorë rrugëtimin e vet shëndetësor. Është konstatuar edhe trajnim dy ditor ku pjesëmarrës ishin 20 gazetarë që mbulojnë fushën e shëndetësisë, që u mbajt në mars të këtij viti, që nga marsi deri në shtator kemi pasur të publikuara në media 18 storie”, tha ajo.
Drejtoresha Ekzekutive e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Getoarbë Mulliqi, vlerësoi se projekti ka qenë i suksesshëm dhe ka dhënë rezultate të prekshme në terren.
“Ka qenë një trevjeçar i suksesshëm. Gjatë kësaj periudhe ne kemi ndërtuar një partneritet të qëndrueshëm që ka dhënë shumë rezultate, fillimisht me shumë se 70 gazetarë në Kosovë kanë pasur mundësi që të rrisin kapacitetet e tyre profesionale për raportim për shëndetësinë, duke përfshirë dimensionet psikologjike, ligjore si dhe teknikat e rrëfimit. E dyta se përmes punës së gazetarëve dhe publikimeve të tyre është ngritur edhe vetëdija e qytetarëve mbi kujdesin shëndetësor dhe kujdesin e pacientëve, kjo tregon për fuqinë që ka gazetaria për të ndikuar pozitivisht në shoqëri”, tha ajo.
Nga ana e saj, Udhëheqësja e Divizionit për Komunikim me Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gjylferije Zabeli, tha se ky bashkëpunim ka forcuar transparencën dhe ka sjellë zërin e pacientit në qendër të raportimeve mediatike.
“Ky bashkëpunim ndërmjet MSH-së, IHS dhe AGK është dëshmi e angazhimit tonë të përbashkët për të avancuar transparencën në sektorin shëndetësor për të përmirësuar cilësinë e informacionit dhe për të fuqizuar zërin e pacientit. Që nga muaji mars kur nisëm trajnimet me qendër pacientin, kemi ndjekur së bashku një rrugëtim të vlefshëm, ky proces ka ndihmuar gazetarin që pacienti ta shohë jo vetëm si subjekt të lajmit por edhe si zë të fuqizuar që meriton të dëgjohet dhe të respektohet. 18 storie të publikuara pasqyrojnë realitetin, sfidat dhe shpresat e qytetarëve tanë. Këto storie nuk janë thjesht artikuj mediatikë, ato janë dëshmi të fuqisë së zërit të pacientit ku gjejnë hapësirën e duhur për t’u shprehur. Roli i mediave pa dyshim mbetet thelbësor”, tha ajo./EO/Katror.info