Kanadaja, Australia dhe Britania e Madhe janë bërë shtetet e para që kanë zyrtarizuar njohjen ndaj shtetit të Palestinës.
Kanadaja është shteti i parë i grupit të vendeve të zhvilluara G7 që ka njoftuar njohjen.
Shtetet e tjera që kanë paralajmëruar njohjen e shtetit palestinez janë edhe Franca, Belgjika, Portugalia e Malta.
Njohjet vijnë një ditë para mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, në të cilën liderët kryesorë shtetërorë do të flasin për Palestinën.
Më 22 shtator, Kombet e Bashkuara do të rifillojnë konferencën ndërkombëtare të nivelit të lartë për zgjidhjen paqësore të çështjes së Palestinës dhe zbatimin e zgjidhjes me Dy Shtete, të bashkëkryesuar nga Franca dhe Arabia Saudite.
Konferenca do të riafirmojë angazhimet ndërkombëtare ndaj zgjidhjes me dy shtete dhe do të kërkojë të mobilizojë mbështetje për zbatimin e saj.
Kryeministri izraeli, Benjamin Netanyahu më parë ka kundërshtuar vendet që njohin shtetësinë palestineze, duke thënë se kjo “shpërblen terrorin e Hamasit” dhe “forcon” “refuzimin” e grupit për të liruar pengjet”.
Familjet e atyre që ende mbahen në Gazë kanë shprehur gjithashtu shqetësim. Në një letër të hapur drejtuar Starmerit, ato thonë se njohja “komplikon përpjekjet për të sjellë të dashurit tanë në shtëpi”.
Ndërkohë, ofensiva tokësore e Izraelit në Qytetin e Gazës vazhdon. Vetëm të dielën kanë mbetur të paktën 30 të vrarë nga sulmet izraelite./koha/Katror.info