Një delegacion i lartë i Policisë së Kosovës, i udhëhequr nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm, Fehmi Hoti, mori pjesë në Konventën Vjetore të Shefave të Policive, e cila u mbajt më 23 dhe 24 shtator në selinë e Europol-it në Hagë. Në delegacion ishin edhe drejtori i Departamentit të Hetimeve, drejtori i Drejtorisë së Bashkëpunimit Policor Ndërkombëtar dhe zyrtari ndërlidhës i Kosovës në Europol, shkruan Katror.info.
Konventa, e organizuar nga Europol-i dhe Presidenca Daneze e Bashkimit Evropian, mbledhi përfaqësues nga vendet anëtare dhe partneret për të diskutuar sfidat më të reja të sigurisë dhe mënyrat për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar.
Në fokus të diskutimeve ishin çështjet e krimit të organizuar ndërkombëtar, trafikimit të narkotikëve, pastrimit të parave, keqpërdorimit të shërbimeve financiare digjitale dhe formave të reja të krimit financiar.
Gjatë konventës, delegacioni i Policisë së Kosovës zhvilloi një sërë takimesh bilaterale me përfaqësues të policive partnere dhe institucioneve ligjzbatuese ndërkombëtare, ku u diskutuan tema për sigurinë rajonale dhe globale, format inovative të bashkëpunimit policor dhe shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira.
Pjesëmarrja e Policisë së Kosovës në këtë konventë nënvizon angazhimin e saj për të avancuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të përmirësuar kapacitetet për të përballuar sfidat e sigurisë në nivel global./Katror.info