Një delegacion i Inspektoratit Gjeneral të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, i udhëhequr nga gjeneralmajore Irfete Spahiu dhe i shoqëruar nga këshilltarja e NALT-it, kolonel Bryant, zhvilloi një vizitë zyrtare njëjavore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të bashkëpunimit bilateral me Gardën Kombëtare të Iowa-s. Në vizitë morën pjesë edhe kolonel Ramiz Bytyqi, major Vilson Musaj dhe rreshter shtabor Jeton Ramadani.
Delegacioni u prit nga Komandanti i Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajor Stephen Osborn, dhe zhvilloi një takim të veçantë pune me gjeneralmajor Spahiun. Vizita filloi me pritjen zyrtare nga ekipi i Inspektoratit Gjeneral të Gardës Kombëtare të Iowa-s, ku pas fjalëve mirëseardhëse u mbajtën prezantime nga të dyja palët dhe një trajnim për programin e inspektimit CIP, përgatitje kjo për inspektimin e përbashkët që u realizua më 13 dhe 14 shtator në Regjimentin 185 të Stërvitjeve.
Delegacioni vizitoi gjithashtu Forcat Ajrore të Gardës Kombëtare të Iowa-s, mori pjesë në ceremoninë “Gara e ushtarit më të mirë” ku morën pjesë tre pjesëtarë të FSK-së, dhe vizitoi shtëpinë e veteranëve të Iowa-s në qytetin Marshalltown, ku gjeneralmajor Spahiu u adresua personalisht veteranëve. Një ndalesë domethënëse ishte edhe muzeu ushtarak “Iowa Gold Star Military Museum” në Camp Dodge.
Në përfundim të vizitës, delegacioni i Inspektoratit të Përgjithshëm vizitoi Konsullatën e Republikës së Kosovës në Des Moines, ku u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe partnerëve amerikanë./Katror.info