Edhe më tej nuk rekomandohet të pihet uji i përpunuar nga Liqeni akumulues i Badocit, si rezultat i vlerave të larta të mineralit natyror mangan, ndonëse ato kanë rënë ndjeshëm. Kështu ka njoftuar IKSHPK, e cila ka ftuar qytetarët që mos ta përdorin ujin për pije e as për zierje.
Mangani, mineral natyror, gjendet në tokë, shkëmbinj dhe ujëra. Ai është i domosdoshëm për organizmat në sasi të vogël, ndërsa bëhet i dëmshëm kur i tejkalon nivelet.
Pellgu dhe shtrati i Liqenit të Badocit është i shtrirë ku ka minerale këtu dhe nga këto minerale të cilat i ka kjo nëntokë, herë pas here ngritja dhe rënia e manganit është e pranishme në ujë.
Andaj, bazuar edhe në matjet e fundit të kryera në laboratorët e IKSHPK-së, mostrat e ujit të marra nga rrjeti shpërndarës në zonën e furnizimit PR03 – Badoc, rezultojnë me ulje të ndjeshme të vlerave
të manganit. Vlerat janë dukshëm më të ulëta sesa standardi shëndetësor prej 0.3 miligram/L i cili konsiderohet pragu ku mund të ketë ndikim në shëndetin e njeriut.
Rezultatet e analizave laboratorike të ditëve të fundit argumentojnë vlerën maksimale prej 0.067 miligramë/L, që megjithatë ende e tejkalojnë kufirin e përcaktuar për cilësinë e ujit të destinuar për konsum njerëzor, ku norma e lejuar është 0.05 miligramë/L, shkruan RTklive.
Andaj, IKSHPK thekson se uji nga Liqeni i Badocit ende nuk është i sigurt për pije, ndërsa do të vazhdohet me monitorimin e rregullt të ujit të pijshëm, që qytetarët të mbahen të informuar për gjendjen e ujit të pijes nga ky liqen./Katror.info