Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar kongresmenin amerikan, Ritchie Torres, të cilin e ka vlerësuar për angazhimin e tij në mbështetje të progresit demokratik dhe ekonomik, duke e njoftuar edhe për ambiciet e vendit për t’u anëtarësuar në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO) dhe Bashkimin Evropian (BE).
“Diskutuam, ndër të tjera, ambiciet tona për t’iu bashkuar NATO-s dhe BE-së, sektorin e teknologjisë së vendit dhe investimet e ardhshme në infrastrukturë”, ka shkruar Kurti në platformën “X” të hënën në mbrëmje krahas publikimit të fotografive.
Kongresmeni Torres ka qenë një nga mbështetësit më të zëshëm të Kosovës. Ai ka mbështetur përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe ka reaguar ndaj veprimeve të Serbisë që cenojnë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Gjithashtu, përveç mbështetjes politike, kongresmeni Torres ka shprehur shprehur vazhdimisht mirënjohje për kontributin e diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në distriktin e Nju Jorkut, ku shqiptarët janë mjaft aktivë.
Ndryshe, raportet dypalëshe mes Prishtinës dhe Uashingtonit janë dobësuar ndjeshëm, kryesisht për shkak të bindjes së administratës amerikane se Kurti nuk ka treguar gatishmëri për bashkëpunim dhe koordnim gjatë mandatit të tij në krye të qeverisë, pavarërisht thirrjeve, rekomandimeve dhe përkushtimit amerikan ndaj Kosovës./AP/Katror.info