Këshilli Bashkiak i Milano-s ka miratuar në mesnatë me 24 vota pro dhe 20 kundër shitjen e stadiumit “San Siro” dhe zonës përreth te klubet e futbollit AC Milan dhe FC Internazionale për një vlerë prej 197 milionë euro.
Vendimi u mor pas një seance maratonë, e cila përfshiu shqyrtimin e 239 amendamenteve, nga të cilat mbi 200 u rrëzuan përmes një manovre procedurale të njohur si “canguro”.
Vendimi i Bashkisë u mundësua falë tërheqjes strategjike të Forza Italia nga votimi.
Tre nga katër këshilltarët e kësaj force politike dolën nga salla pak para votimit, duke ulur numrin e nevojshëm për kuorum dhe duke shmangur përplasjet e brendshme në koalicionin e qendrës së majtë, i cili kishte humbur disa vota të rëndësishme.
Qendra e djathtë u shfaq e përçarë. Lega dhe Fratelli d’Italia akuzuan Forza Italian për bashkëpunim të heshtur me maxhorancën, duke e konsideruar votimin si një tradhti ndaj koalicionit.
Forza Italia, nga ana tjetër, e justifikoi vendimin si një akt përgjegjësie për të shmangur bllokimin institucional të qytetit.
Ndryshe nga plani fillestar i vitit 2019 që parashikonte dhënien me koncesion të zonës, vendimi i tanishëm është një shitje e drejtpërdrejtë.
Klubeve u jepet kontrolli i plotë mbi zonën dhe projektin e stadiumit të ri, me një kapacitet prej 71 mijë e 500 vendesh.
Stadiumi do të projektohet nga arkitektët e njohur Norman Foster dhe David Manica, të cilët kanë punuar edhe për rindërtimin e Wembley Stadium në Londër.
Projekti parashikon ndërtimin e një kompleksi modern sportiv dhe tregtar me funksione edhe për publikun./Katror.info