Salamanca, i njohur si La Dorada – Qyteti i Artë, është i mbushur me ndërtesa antike dhe shquhet si qytet universitar, një nga më të vjetrit në botë.
Salamanca, i njohur ndryshe si La Dorada – Qyteti i Artë – duket sikur ka dalë nga faqet e një përralle. Qyteti i vjetër, i mbrojtur nga UNESCO, është i mbushur me ndërtesa antike prej guri ranor ngjyrë mjalti dhe rrugica me kalldrëm, që natën ndriçohen e shndrisin në ar.
Ky qytet universitar, një nga më të vjetrit në botë, ruan energjinë rinore të studentëve, duke e bërë atmosferën të gjallë e të relaksuar. Vizitorët mund të shijojnë ushqimin tradicional, ku jamon iberico është një nga arsyet kryesore për të ardhur këtu. Për më tepër, Salamanca është e vogël, e lehtë për t’u eksploruar në këmbë dhe shumë fotogjenike, ndërsa ndodhet vetëm dy orë larg Madridit.
Ndër atraksionet më mbresëlënëse janë dy katedralet e bashkuara – njëra nga shekulli XII dhe tjetra nga shekulli XVI – të cilat ofrojnë pamje mahnitëse nga çatitë. Po aq i veçantë është Konventa e San Esteban, ku thuhet se ka qëndruar Kristofor Kolombi, me altarët e tij të artë dhe oborrin gotik-rilindas.
Plaza Mayor, sheshi kryesor barok i ndërtuar në vitin 1729, është zemra e qytetit, veçanërisht në mbrëmje kur ndriçohet dhe shndërrohet në një skenë përrallore. Një tjetër simbol është Casa de las Conchas, ndërtesë e mbuluar me qindra guaska deti, sot bibliotekë publike.
Universiteti i Salamancës, që daton nga shekulli XV, mbart një mural të rrallë – “Qielli i Salamancës” – një vizion mesjetar i yjeve e engjëjve që ende mahnit vizitorët. Po ashtu, një lojë e preferuar e studentëve është gjetja e bretkosës së famshme të gdhendur mbi një kafkë në portën kryesore, simbol fati për provimet.
Qyteti është një parajsë për gastronominë. Tapas 3.0 ofron pjata kreative të vlerësuara nga Michelin, ndërsa Oroviejo, i vendosur në një shtëpi të shekullit XVII, shquhet për specialitetet me mish derri dhe ëmbëlsira të veçanta. Për pije, Café Niebla Bar është ndër më të njohurit për kokteje moderne, ndërsa The Doctor ofron një atmosferë më intime e studentore.
Për një përvojë unike, Parador de Salamanca shërben drekë me pamje spektakolare të qytetit të vjetër, ndërsa Origen të fton të provosh croquetas dhe cheesecake bask me shije autentike. /AP/Katror.info