Snapchat ka befasuar përdoruesit me një njoftim të ri: kush ka më shumë se 5GB kujtime të ruajtura në aplikacion, do të duhet të paguajë për t’i mbajtur ato, shkruan BBC ,transmeton Katror.info.
Që prej vitit 2016, përdoruesit kanë pasur mundësinë të ruajnë foto e video në opsionin Memories – falas.
Por tashmë, ky privilegj përfundon:
• Plani 100GB kushton 1.99 dollarë (1.48 £) në muaj
• Abonimi Snapchat+ me 250GB kushton 3.99 dollarë (2.96 £)
• Hapësira më e madhe ruajtjeje do të ofrohet vetëm me Snapchat Premium.
Snap thotë se ndryshimi do të zbatohet gradualisht në mbarë botën dhe shton se ky hap është i domosdoshëm për të përmirësuar platformën.
Përdoruesit: “E padrejtë dhe e pangopur”
Reagimet në rrjetet sociale nuk kanë munguar. Shumë përdorues, që kanë ruajtur për vite të tëra kujtime falas, tani ndihen të zhgënjyer.
“Po na detyrojnë të paguajmë ose t’i humbim kujtimet tona,” shkruajnë disa.
Të tjerë e quajnë vendimin “të padrejtë” dhe “lakmi për para”.
Madje disa kanë pranuar se ruajtja falas ishte arsyeja e vetme pse përdornin ende Snapchat, i cili tashmë shihet më pak popullor krahasuar me Instagram e TikTok.
“E ardhmja e rrjeteve sociale”
Pavarësisht kritikave, ekspertët thonë se ky hap ishte i pritshëm.
“Rruga drejt pagesës për hapësirë ruajtjeje në rrjetet sociale është e pashmangshme,” tha Drew Benvie, CEO i Battenhall. “Në një kohë kur postojmë më pak, por ruajmë më shumë, kjo është evolucioni i natyrshëm i platformave.”
Aktualisht, Snapchat ka mbi 900 milionë përdorues aktivë mujorë, por me këtë ndryshim mbetet për t’u parë sa prej tyre do të zgjedhin të paguajnë për të mos humbur kujtimet e tyre. /Katror.info
Burimi: BBC
Përktheu dhe përshtati : Katror.info