KB Prishtina e ka nisur me këmbë të mbarë rrugëtimin në Ligën ENBL, duke triumfuar para tifozëve të vet në “Pallatin e Rinisë dhe Sporteve” ndaj klubit norvegjez BC Gimle, me rezultat 90:79.
Takimi ka nisur më mirë për mysafirët, të cilët e mbyllën çerekun e parë me epërsi prej pesë pikësh (18:13). Megjithatë, bardhekaltrit kanë reaguar, duke fituar çerekun e dytë 23:15 dhe duke përmbysur rezultatin në pjesën e parë, që është mbyllur 36:33 në favor të tyre.
Në pjesën e dytë, Prishtina e ka ruajtur ritmin dhe kontrollin e lojës, duke fituar çerekun e tretë 24:19 dhe të katërtin 30:27.
Katër lojtarë të kryeqytetasve e kanë përfunduar takimin me pikë dyshifrore. Lojtari më i dalluar ka qenë Deondre Burns me tridhjetë pikë, pesë kërcime dhe katër asistime. Kontribut të rëndësishëm kanë dhënë edhe Don Polloshka me pesëmbëdhjetë pikë, tri kërcime e katër asistime, Adrio Bailey me pesëmbëdhjetë pikë si dhe Lamb Autrey me dymbëdhjetë pikë.
Prishtina ndodhet në Grupin B të ENBL-së dhe do të zhvillojë gjithsej tetë ndeshje në këtë fazë – katër si vendas dhe katër si mysafirë. Ndeshjen e radhës bardhekaltrit do ta kenë në udhëtim kundër Brussels Basketball. Ky është edicioni i dytë radhazi që Prishtina merr pjesë në Ligën ENBL, ndërsa këtë vit në këtë kompeticion garon për herë të parë edhe skuadra e Pejës./RTKlive/Katror.info